
Prokuroria e Posaçme SPAK ka sekuestruar pamjet filmike në Bllokun e Sigurisë pas arrestimit të shefit të Rrugores Roven Zeka.
Mësohet se sekuestrimi është bërë për shkak se ka dyshime se zyrtarë të policisë kanë pasur kontakt me Roven Zekën.
Kontakt me shefin e Rrugores kanë pasur një drejtor policie dhe tre shefa komisariati, gjë që nuk lejohet pasi Zeka është i dyshuar për korrupsion. Ndërkohë, është sekuestruar edhe celulari i një biznesmeni po për të njëjtën çështje.
Shefi i policisë së Qarkullimit Rrugor të Tiranës Roven Zeka, u arrestua me urdhër të SPAK më 19 Prill, bashkë me Edison Tabakun, oficer i Policisë Gjyqësore dhe Sokol Novakun, shefin e Sektorit për Aksidentet. Të tre akuzohen për korrupsion, pasi ka dyshime se i kanë marrë para një gruaje për një aksident.
Zeka ishte në përgjim nga Prokuroria e Posaçme për një çështje tjetër, por nga përgjimet ka rezultuar se janë ofruar para për të mbyllur në favor të një gruaje çështjen.
Ndaj tyre është ngritur një akuzë për korrupsion lidhur me një ngjarje të rëndë, ku janë mbuluar pasojat e një aksidenti ku nga përplasja e dy automjeteve, pesë persona kanë përfunduar në spital.
Tre zyrtarët e Policisë Rrugore të Tiranës akuzohen se morën ryshfet për të mbyllur çështjen në rrugë, ndërkohë që asnjë institucion nuk bën me dije se çfarë ka ndodhur me 5 qytetarët e plagosur në atë përplasje mes dy automjetesh me datë 16 prill.
Gjatë seanës në Gjykatën e Posaçme, më 22 Prill, mësohet se Roven Zeka është shprehur se ai është një oficer karriere në radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa oficerit Sokol Novaku nuk i janë pranuar argumentet për një masë më të butë sigurie për shkak të rrethanave familjare.
Dy shefat e Rrugores kanë deklaruar se ata kanë zbatuar procedurën standarde duke referuar materialet në prokurori për drejtuesen e aksidentit. Ata kanë mohuar dijeninë apo përfshirjen e tyre në veprimet dhe mos veprimet e oficerit Edison Tabaku.
Në urdhrin e ndalimit të lëshuar nga prokurorja Elida Kaçkini evidentohej se të 3 punonjësit e policisë janë transferuar në Tiranë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ku kanë shërbyer më parë.
Të tre efektivët akuzohen se kanë kërkuar dhe marrë pagesën 2 mijë euro nga biznesmeni E. V., për të mos i arrestuar bashkëshorten që kishte shkaktuar një aksident më 16 prill. Arrestimet u bënë më 19 prill, menjëherë pas zbulimit të rastit, teksa Prokuroria ka zbardhur nëpërmjet përgjimeve edhe bisedat dhe aferën korruptive.
Sipas dosjes hetimore bëhet me dije se Edison Tabaku e njihte bashkëshortin e gruas që shkaktoi aksidentin. SPAK pretendon se ka fakte që Edison Tabaku është takuar dy herë me E. V., me qëllim marrjen e një shumë parash për t’i ndarë me dy eprorët.
SPAK saktësoi se ka fakte e përgjime që mundësojnë komunikime me shuma konkrete në lidhje me mbylljen e çështjes së aksidentit të shkaktuar nga shtetasja A. V., ku u tha se u plagosën 5 persona.
Lini një Përgjigje