Një tjetër emër nga rradhët e opozitës, më konkretisht Partisë Demokratike, i është bashkuar administratës së Edi Ramës në funksione të larta. Bëhet fjalë për ish-deputeten e PD-së, Zheni Gjergji, e cila së fundmi është emëruar drejtoreshë e Spitalit të Elbasanit.
Kjo nuk është hera e parë që Edi Rama ‘peshkon’ në kampin opozitar figura apo individë që i ofron pozicione të caktuara në administratën e tij.
Pas zgjedhjeve të 11 majit, Kryeministri ofroi Genc Deromenajn, anëtar i Kryesisë së PD-së dhe kreu i degës së Vlorës, për ta emëruar si drejtorin e Kadastrës në qytetin më të madh në jug të vendit. Më pas ishte Blendi Sulaj që u emërua nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Edhe Sulaj u ‘peshkua’ në rradhët e PD-së, ndërsa ishte bashkuar me këtë parti gjatë kohës kur drejtohej nga Lulzim Basha.
Gjithashtu Artur Papajani, që dikur ka drejtuar Tatimet në qeverisjen e PD-së, është emëruar në krye të Fondit të Kujdesit Shëndetësor. Dhe nëse ‘gërmohet’ më tej mund të gjenden plot emra që janë përfshirë në administratën e Edi Ramës apo kanë marrë emërime në heshtje, ndërsa shfaqen herë pas here në takime elektorale apo në ato që organizohen nga strukturat e Rilindjes.
Vetë Rama disa herë në deklarata publike ka bërë të qartë ‘vizionin’ për të afruar emra dhe individë edhe nga kampi tjetër, pra opozita. Madje këtë ia ka kërkuar edhe bashkiakëve socialistë të shohin përtej ‘gardhit’ politik të PS-së dhe të afrojnë specialistë apo njerëz me reputacion pavarësisht bindjeve politike që kanë.
Zheni Gjergji nëpërmjet një postimi ka bërë të ditur se lajmin për emërimin si drjetoreshë në Spitalin Rajonal të Elbasanit.
Ajo theksoi se nuk ishte nje zgjedhje e lehtë politike.
Gjergji shtoi se pavarësisht angazhimit të saj të mëparshëm politik, në radhë të parë thotë se tani do të shërbejë si mjeke.
"Të nderuar qytetarë të Elbasanit,
Sot kam pranuar me përgjegjësi dhe përulësi detyrën si Drejtoreshë e Spitalit Rajonal “ Dr. Xhaferr Kongoli” Elbasan.
Kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor", shkruan ish-deputetja në një postim.
E meriton zheni