
Në GJKKO mbahet sot seanca paraprake ndaj kryebashkiakut të shkarkuar të Tiranës, Erion Veliaj, dhe personave të tjerë të përfshirë në dosjen e SPAK-ut. Kjo seancë do të përcaktojë nëse çështja ndaj Veliajt do të kalojë për gjykim ose jo.
Në seancë pritet të shqyrtohen akuzat penale që rëndojnë ndaj Veliajt, i cili prej 10 shkurtit ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg.
Më 2 tetor, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Erion Veliajt, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
Ndaj Veliajt më 11 shtator nisi procesi i shkarkimit nga posti i Kryebashkiakut, ndërsa Kryeministri Edi Rama u kujdes posaçërisht që procesi të përmbyllej me shpejtësi dhe Tirana të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Brenda dy javësh u ezauruan të gjithë procedurat e shkarkimit, ndërsa Presidentit Bajram Begaj iu propozua vakanca në Bashkinë e Tiranës, në mënyrë që të caktonte një datë për mbajtjen e zgjedhjeve.
Në anën tjetër, Veliaj ka kundërshtuar procedurat me një ankim në Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet të shprehet më 31 tetor nëse shkarkimi i kryebashkiakut është ose jo kushtetues dhe i ligjshëm.
Lini një Përgjigje