
Shërbimi i radioterapisë në Spitalin Onkologjik në QSUT u ndërpre për tre ditë radhazi, duke lënë pa trajtim dhjetëra pacientë që vuajnë nga kanceri. Denoncimin e bëri gazetari Osman Stafa, i cili raportoi se dy akseleratorët e vetëm linearë që disponon spitali nuk funksiononin, njëri për shkak të prishjes së derës së bunkerit dhe tjetri për probleme teknike.
Sipas tij, rreth 100 pacientë në ditë paraqiten për të kryer rrezet sipas protokollit mjekësor. Ndërprerja e këtij shërbimi kritik ka bllokuar drejtpërdrejt trajtimin e tyre. Vetë pacientët flasin për një situatë të rëndë dhe pa zgjidhje. “Erdha dje, aparati i prishur. Erdha sot, aparati i prishur. Paguan makina, vjen nga larg, dhe rrezet nuk i bën dot. Po luftojmë për jetën”, shprehet një paciente, e cila i bën thirrje kryeministrit të ndërhyjë. Një tjetër pacient nga Malësia e Madhe thotë se prej tre ditësh nuk po kryen rrezet dhe mban përgjegjëse qeverinë për situatën.
Vetëm pas daljes së denoncimit publik, QSUT reagoi me një njoftim zyrtar, ku pranon defektet teknike, por përpiqet t’i minimizojë pasojat. Sipas QSUT-së, akseleratori linear LINAC 1 ka shfaqur problem teknik gjatë ditës së sotme dhe pas ndërhyrjes së teknikëve, zëvendësimit të një komponenti dhe kryerjes së verifikimeve mekanike dhe dozimetrike, pajisja është rikthyer në funksion. Po ashtu, QSUT deklaron se edhe LINAC 2 është në punë të plotë pas rregullimit të derës së bunkerit.
Megjithatë, realiteti i tre ditëve pa rreze për pacientët onkologjikë mbetet një fakt i pakundërshtueshëm. QSUT flet për standarde sigurie dhe kalibrime, por nuk jep asnjë përgjigje për mungesën e alternativave, për mungesën e pajisjeve rezervë dhe për pasojat që ndërprerja e trajtimit sjell për pacientët që luftojnë për jetën. Ky rast ngre sërish pikëpyetje të forta mbi menaxhimin e shëndetësisë publike dhe përgjegjësinë institucionale përballë një shërbimi jetik që nuk mund të ndalet as për një ditë, jo më për tre.
Lini një Përgjigje