Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar arratisjen e Altin Ndocit nga spitali rajonal i Durrësit, duke ngritur dyshime serioze se ngjarja nuk ka qenë e rastësishme, por e planifikuar prej kohësh.
Sipas saj, Ndoci e kishte menduar arratisjen që në momentin kur u vendos në paraburgimin e Durrësit, një strukturë ku, sipas Lalës, ai nuk duhej të ishte futur për shkak të rrezikshmërisë së lartë.
“Mendoj se ka pasur bashkëpunëtorë jashtë që e kanë ndihmuar në lëvizjen e tij dhe kam dyshime edhe për bashkëpunëtorë ose informatorë brenda sistemit”, u shpreh ajo në studion e News24.
Gazetarja kritikoi ashpër mënyrën se si institucionet reaguan pas arratisjes, duke thënë se në një vend normal me polici funksionale do të ishin vënë në lëvizje menjëherë të gjitha kapacitetet e sigurisë.
Sipas saj, do të duhej të ishin nxjerrë në terren qentë e specializuar, të ngriheshin dronë dhe helikopterë për gjurmim ajror dhe të informohej komuniteti për personin e rrezikshëm që ishte në arrati.
Lini një Përgjigje