TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Qershor 2025, 21:14

Qeveria miraton projektligjin për “Vullnetarizmin”; çfarë parashikohet dhe cilët përjashtohen

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria miraton projektligjin për “Vullnetarizmin”;

Qeveria ka miratuar projektligjin “Për vullnetarizmin”, një akt ligjor që vjen si fuksion për të rregulluar dhe fuqizuar angazhimin qytetar.

Ligji, i miratuar me propozimin e Këshillit të Ministrave përcakton “parimet bazë, rregullat për kryerjen e vullnetarizmit, të drejtat dhe detyrimet e vullnetarëve e të ofruesve të vullnetarizmit”, si dhe mekanizmat për “nxitjen, mbështetjen e mbikëqyrjen e vullnetarizmit në Shqipëri”.

Në projekt-ligj përjashtohen disa aktivitete të cilat nuk konsiderohen vullnetarizëm në kuptimin ligjor, si punët e zakonshme në familje, dhurimin e gjakut apo angazhimin në mbrojtjen civile sipas ligjit në fuqi.

Një nga pikat më të rëndësishme është përfshirja dhe mbrojtja e grupeve të veçanta, të cilat ligji i përmend me detaje duke u nisur nga “nënat nën moshën 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara sipas Konventës së OKB-së, komunitetet rom dhe egjiptian, të miturit, të moshuarit, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit dhe të diskriminimit”.

Nga ana tjetër projekt-ligji përcakton qartë dhe përkufizimin e vullnetarizmit dhe format në të cilat do të ushtrohet.

Çfarë është vullnetarizmi?

Vullnetarizmi është investim i lirë i kohës, njohurive dhe aftësive për të ndihmuar pa shpërblim, qoftë në mënyrë të organizuar, qoftë individualisht, në dobi të publikut dhe të personave të tjerë. Sipas projekt-ligjit përcatohet dhe koha e ushtrimit.

a. Vullnetarizmi afatgjatë: Kur vullnetari angazhohet të paktën 20 orë në javë, për së paku 3 muaj me radhë.

b. Vullnetarizmi afatshkurtër: Kur koha e angazhimit është më e shkurtër se 20 orë në javë, por jo më pak se 1 orë.

“Çdo person, shqiptar apo i huaj, përfshirë të miturit dhe personat me aftësi të kufizuara mendore, ka të drejtë të kryejë vullnetarizëm me vullnet të lirë, pa u detyruar të organizohet nëpërmjet institucioneve”, thuhet në vendim.

Sipas projekt-ligjit, ofrues të vullnetarizmit mund të jenë institucione publike, bashkësi fetare, organizata jofitimprurëse dhe madje edhe biznese që nuk synojnë fitim në këtë aktivitet.

Përfitues të punës së vullnetarëve mund të jenë persona, institucione publike, organizata jofitimprurëse apo bashkësi fetare.

Nga ana tjetër në vendim thuhet se vullnetarizmi nuk duhet të përdoret për të zëvendësuar punonjësit e rregullt apo shërbimet që normalisht paguhen por gjithashtu theksohet se përdorimi i vullnetarëve për përfitim ekonomik është i ndaluar.

Ligji i ri për vullnetarizmin në Shqipëri forcon edhe më tej mbrojtjen dhe rregullimin e këtij aktiviteti social, duke vendosur norma të posaçme për vullnetarët e mitur dhe ata që i përkasin grupeve të veçanta.

Ajo që bie në sy projektligj siguria për miturit dhe për shtresat në nevojë ku përcakton qartë që:

1.Fëmijët deri në 15 vjeç mund të angazhohen në aktivitete me natyrë edukative, që kanë si qëllim zhvillimin dhe socializimin e tyre.

2.Të miturit mbi 15 vjeç mund të kryejnë punë vullnetare të përshtatura për moshën dhe aftësitë e tyre, pa rrezikuar shëndetin, sigurinë apo edukimin.

3.Mbrojtja e të miturve në vullnetarizëm përcaktohet sipas legjislacionit për punën e tyre dhe kërkohet pëlqimi me shkrim i prindit ose kujdestarit ligjor për kontratën e vullnetarizmit.

4.Të miturit mund të ndalojnë aktivitetin e tyre vullnetar në çdo kohë pa nevojën e pëlqimit, por duke informuar prindin ose kujdestarin.

5.Vullnetarizmi jashtë Shqipërisë për të miturit bëhet vetëm me pëlqimin e prindit dhe shoqërim të përcaktuar.

6.Vullnetarizmi afatgjatë nuk është i lejuar për të miturit në grupin e parë (nën 15 vjeç).

7.Ofrues të këtij lloj vullnetarizmi janë institucione arsimore, publike apo organizata jofitimprurëse që punojnë për edukimin me miratimin e institucioneve shtetërore.

8.Ofruesit e vullnetarizmit duhet të sigurojnë kushte të përshtatshme për angazhimin e personave nga grupe të veçanta, duke nxitur zhvillimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.

9.Këta vullnetarë përfitojnë mbështetje, aksesueshmëri dhe trajtim të barabartë gjatë gjithë kohës së angazhimit.

10.Personat me aftësi të kufizuara mendore ose intelektuale mund të ushtrojnë vullnetarizmin në mënyrë autonome, me të drejtë të ndërprerjes së angazhimit në çdo kohë.

Nga ana tjetër në projekt-ligj përcatohet qartë dhe rregulli mbi detyrimet për sigurimet shoqërore të tyre. Sipas ligjit, vullnetarët përjashtohen nga detyrimi për pagesën e kontributeve të detyrueshme për sigurimet shoqërore, përveç sigurimit ndaj aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale.

Konkretisht, kontributi për sigurimin ndaj aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale llogaritet mbi pagën minimale të vendit, në masën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi. Pagesa dhe deklarimi i këtij kontributi mbetet përgjegjësi e ofruesit të vullnetarizmit, i cili duhet ta kryejë atë brenda afateve dhe procedurave të parashikuara nga ligji.

Ky rregullim synon të mbrojë vullnetarët nga rreziqet gjatë angazhimit të tyre dhe të lehtësojë barrën financiare për ta, duke ruajtur të drejtën e tyre për mbrojtje në rast aksidentesh apo sëmundjesh profesionale.

Vullnetari sipas këtij projekt-ligji do të ketë një kontratë dhe një librezë vullnetari.

1. Libreza e vullnetarit është dokumenti me vulë elektronike, që lëshohet nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për vullnetarin e përmban të dhënat për vullnetarizmin e kryer.

2. Libreza e vullnetarit lëshohet me numër unik, të papërsëritshëm për çdo vullnetar me shtetësi shqiptare, vullnetar të huaj ose person pa shtetësi, që kryen vullnetarizëm në Republikën e Shqipërisë.

3. Libreza e vullnetarit plotësohet për vullnetarin:

a) që merr pjesë në vullnetarizëm afatgjatë;

b) që merr pjesë në vullnetarizëm afatshkurtër, me kohëzgjatje të paktën 20 orë në javë dhe zbatim të rregullt, për të paktën një muaj, dhe përcaktohet në kontratën e vullnetarizmit.

4. Libreza e vullnetarit lëshohet nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë pas raportimit të parë të ofruesit të vullnetarizmit dhe përditësohet në bazë të të dhënave, që raportohen në mënyrë periodike, në Regjistrin Elektronik për Vullnetarizmin.

5. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, me kërkesë të vullnetarit e pas vlerësimit të dokumentacionit provues, bën plotësimin në Regjistrin Elektronik për Vullnetarizmin me të dhënat për vullnetarizmin e kryer jashtë Shqipërisë, për efekt të përditësimit të librezës së vullnetarit.

6. Libreza e vullnetarit shërben për vërtetimin e përvojës vullnetare, ku koha e shpenzuar në vullnetarizëm përllogaritet dhe njihet si përvojë pune vetëm për efekt të procedurave të rekrutimit të punëmarrësve nga çdo punëdhënës në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me kriteret e përcaktuara për pozicionin e punës.

7. Forma dhe përmbajtja e librezës së vullnetarit miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit.

 

Lini një Përgjigje