
Duke komentuar kabinetin e ri të kryeministrit Edi Rama, juristi Ylli Manjani u shpreh se kreu i qeverisë bëri një ofertë politike të ambalazhuar mirë.
Manjani tha se, në tërësinë e vet, më shumë sesa përbërja bie në sy është koncepti i Edi Ramës mbi qeverisjen.
Sipas tij, është e vështirë të qortosh fjalimin e Ramës, pasi po ta dëgjosh, mund t’i vësh notën 10 nëse do të ishte një politikan i ri dhe jo një kryeministër që ka kaq shumë vite në pushtet.
Sa i përket emrave të rinj në qeveri, Manjani tha se situata përshkruhet më së miri me shprehjen tiranase: “nusja e re me adetet e vjetra”.
Sipas tij, në politikën shqiptare ka rënë konkurrenca, dhe gjithçka është kthyer në një “one man shoë”, ku gjithçka varet nga humori i “të parit”.
Manjani shtoi se, mbi të gjitha, me shpalljen e kandidates për Bashkinë e Tiranës dhe me zgjedhjet që pritet të mbahen në 6 bashki të vendit, Edi Rama ka futur në punë edhe opozitën.
“Po bëj një analizë politike. Duhet të kuptojmë një gjë: ajo që hodhi Edi Rama sot në publik, është një ofertë politike e ambalazhuar mirë, për disa gjëra të rëndësishme. Mbi të gjitha, ai ka nxjerrë opozitën nga llogorja dhe e ka vënë në lëvizje. Do të mbahen zgjedhje në 6 bashki, kjo është një e treta e popullsisë së vendit. Çfarë do bëjë opozita? Do përgatitet për këto zgjedhje, apo do vazhdojë të merret me vjedhjen e zgjedhjeve të kaluara? Cili është më i rëndësishëm: të flasësh për ata që ikën, apo për ata që do vijnë? Kurthi është që opozita të ketë rol aktiv në parlament: në reformën zgjedhore, në komisionet parlamentare, në reformën territoriale. Nuk është çudi që brenda vitit të kemi ndryshime të tjera në qeveri, nëse konteksti aktual prishet.Ndryshimet që janë bërë në qeveri nuk kanë lidhje me punën e SPAK-ut”, tha Manjani në "Euronews Albania".
Lini një Përgjigje