Ilir Proda pritet të marrë postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas përcjelljes në Kryeministri të këtij kandidati të përzgjedhur nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, mes 5 kandidaturave.
Për gazetarin e A2 CNN, Julian Kasapi është e habitshme që në fund të garës mbetën vetëm 5 kandidatë nga 11 të tillë. Në Ditarin me Bruna Çifligun, ai ngriti dyshimet se katër të tjerët, përkatësisht; Altin Mena, Ardian Çipa, Neritan Nallbati dhe Skënder Hita mund të projektohet për drejtoritë e tjera kryesore në vend.
“Për herë të parë ka një garë për zgjedhjen e drejtorit të policisë ndonëse është një post politik sepse firma mbetet e kryeministrit. Pati edhe angazhim të institucioneve ligjzbatuese u përfshi edhe Prokuroria e Posaçme që ka sjellë detaje për figurën dhe hetimet që kryen drejtues të policisë dhe për Prodën pati hetim ku iu sekuestrua celulari gjatë operacionit të fundit të kapjes së grupit kriminal Çopja, që operonte në Dubai. Mesa duket figura e tij kë qenë e pastër. Ajo që bën habi është që pse mbetën 5 kandidatë nga 11. Ndoshta 4 të tjetër mund të projektohet në drejtoritë kryesore të qarqeve të vendit”, tha ai në A2
Hita është aktualisht në një nga drejtoritë kryesore si ajo e Durrësit, Mena në Lezhë, Nallbati në departamentin e Policisë kriminale, mund të synohet Tiranën. Çipa ka mbajtur poste të larta në polici dhe mund të synohet ndonjë drejtori. Aktualisht ai ndodhet në Gjirokastër.
I pyetur nëse Rama mund ta rrëzojë emrin e tij gazetari u përgjigj: “Mund të ndodhë nëse në tryezën e Ramës do të ishin tre emra, por në momentin që kemi vetëm një emër, diçka e tillë është e përfunduar”.
Lini një Përgjigje