Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka përzgjedhur ditën e sotme kandidatin që do t’i dërgojë Këshillit të Ministrave për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Nga 5 emrat e kualifikuar në listën finale, Ilir Proda është ai i përzgjedhuri nga ministri i Brendshëm.
Kjo kandidaturë do të duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave. Ilir Proda mban aktualisht postin e Drejtorit të Policisë së Elbasanit.
Por kush është Ilir Proda?
Ju rikujtojmë se para dy javësh, më 9 Shtator SPAK i ka sekuestruar sot telefonin Ilir Prodës, që mban aktualisht postin e drejtorit të Policisë së Elbasanit, ndërsa ka dyshimet se operacioni për goditjen e bandës së Çopjave në Elbasan është dekonspiruar.
Proda u emërua në Policinë e Elbasanit më 8 mars 2023, me urdhër të Rrumbullakut pas disa ndryshimeve në drejtoritë e policive. Nga Elbasani u largua Ardian Çipa, i cili shkoi në Gjirokastër.
Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim për nxjerrje të sekretit hetimor, pasi një disa prej eksponentëve kriminalë nuk u kapën në kuadër të operacionit për të goditur grupin e drejtuar nga vëllezërit Çopja në Elbasan. Edhe dy vëllezërit Franc e Hajdar Çopja nuk u vunë në pranga në operacionin e 31 korrikut 2024.
Me dyshimet se Policia ka nxjerrë sekretin hetimor, SPAK është vënë në lëvizje dhe për këtë arsye është sekuestruar telefoni i drejtuesit të Policisë së Elbasanit, Ilir Proda.
Prokuroria e Posaçme ka vënë në sitë edhe 10 agjentë të policisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit që kanë qenë në terren për ekzekutimin e masave të sigurisë të lëshuara në kuadër të operacionit që goditi bandën e vëllezërve Çopja në Elbasan. Po ashtu, SPAK ka marrë në pyetje edhe 3 drejtues policie që kanë patur dijeni për operacionin.
Kujtojmë që nga 33 urdhër arreste të miratuara nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, gjatë operacionit për goditjen e bandës së Çopjave u ekzekutuan vetëm 13 urdhërarreste, 2 prej tyre të arrestuar më herët për vepra të tjera penale. Për disa prej anëtarëve të kësaj bande kriminale që sot janë në arrati, kishte të dhëna që ndodhen në Shqipëri, por ka dyshime se ata janë informuar për operacionin dhe për rrjedhojë janë arratisur.
Një hetim i nisur prej vitit 2022 ndaj vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja nga Elbasani, iniciuar dhe nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Erion Alibej e Nuredin Dumani, ka çuar SPAK në zbardhjen e disa vrasjeve, atentateve e grabitje.
Franc e Hajdar Çopja, të cilët janë në arrati, dyshohet të jenë krerët e grupit kriminal që fshihet pas vrasjeve si pasojë e përplasjeve mes grupeve, me qëllim sundimin e trafikut të kokainës në Europë. E konkretisht bëhet fjalë për përplasjen mes grupit Çopja dhe Alibej.
Lini një Përgjigje