
Ish-prokurori Eugen Beci ka folur për sfidat aktuale të SPAK, duke theksuar se institucioni ka hyrë në një fazë vendimtare, ku rezultatet do të maten në gjykatë dhe jo më në hetim.
Ai solli një shembull për të ilustruar ndryshimin mes hetimit dhe gjykimit. “Një prokuror thoshte: ‘Unë jam i zoti në hetim, por çaloj pak në gjykim’… dhe oficeri i tha: ‘Puna është gjykimi’”, u shpreh Beci.
Sipas tij, SPAK tashmë e ka kaluar fazën fillestare dhe po përballet me një test më të vështirë. “SPAK e ka kaluar atë fazën e maturimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale… tani jemi në momentin e standardeve”, deklaroi Beci.
Beci theksoi se sfida kryesore mbetet balanca mes ligjit dhe politikës. “Do shohim nëse SPAK menaxhon dot riskun mes asaj që quhet juridike dhe asaj që quhet politike”, tha ai, duke shtuar se kjo do të provohet në të gjitha shkallët e gjykimit.
Ai identifikoi tre drejtime kryesore të hetimeve të SPAK. Për dosjet e vjetra, si 21 Janari apo Gërdeci, ai theksoi problemet me provat. “Ka mangësi të madhe… për shkak të vjetërsimit dhe shkatërrimit të provave gjatë viteve”, u shpreh Beci.
Për hetimet ndaj figurave të larta, ai vuri në dukje përplasjen politike që ka shoqëruar këto procese. “Mazhoranca e quante histori suksesi, opozita goditje selektive”, deklaroi ai.
Ndërsa për çështjet që lidhen me pushtetin aktual, ai ngriti pikëpyetje për qasjen e SPAK. “Këtu do shohim a kemi hezitim apo maturi”, tha Beci.
Ish-prokurori kritikoi edhe perceptimin publik për procesin penal. “Publiku… kujton se u dënua. Jo, aty ka filluar procesi dhe do jetë një sagë që do vazhdojë”, theksoi ai.
Sipas tij, edhe politika është përballur me pasojat e reformës në drejtësi. “Duket tani sikur edhe mazhoranca dhe opozita po shkojnë në një zë”, u shpreh Beci.
Ai shtoi se vetë mazhoranca ka ndryshuar qasje ndaj SPAK. “Deri dje mazhoranca thoshte se i dhashë shpatën… tani thotë prit pak se më duket që ky që u rrit po më godet”, deklaroi Beci.
Beci theksoi se e ardhmja e SPAK varet nga aftësia për të menaxhuar këto dosje komplekse. “Do të shohim sa e zonja do jetë prokuroria për kontrollin e këtyre dosjeve”, përfundoi ai për "A2 CNN".
Lini një Përgjigje