
Gazetari Lutfi Dervishi ka kritikuar qeverinë për menaxhimin e situatës së çmimeve të naftës, duke theksuar se premtimet e bëra ndër vite nuk janë realizuar.
Ai deklaroi se argumenti i ndikimit të luftërave në çmime është përdorur vazhdimisht, por pa sjellë rezultate konkrete.
“Sot nuk është vetëm kjo luftë që po jep këto efekte. Kemi edhe luftën në Ukrainë… u dhanë të njëjtat premtime dhe u bë i njëjti debat”, u shpreh Dervishi.
Sipas gazetarit, që nga viti 2022 janë bërë deklarata për masa mbrojtëse në sektorin e hidrokarbureve, por ato nuk janë zbatuar. Ai përmendi rolin e Albpetrol, i cili ishte parashikuar si një mekanizëm kyç në kohë krize.
“U tha se Albpetroli do të ishte aktori kryesor… u fol për rezerva për tre muaj, por nuk kemi asgjë konkrete”, deklaroi Dervishi për "A2 CNN".
Ai kritikoi edhe nismat e fundit të qeverisë për hartimin e një ligji të ri për rezervat e naftës. “Del ministri dhe thotë se prej dy vitesh po punohet për ligjin… kjo është gënjeshtër”, u shpreh gazetari.
Dervishi theksoi mungesën e politikave efektive për të mbrojtur konsumatorët dhe ekonominë. Sipas tij, situata reflekton një model të përsëritur premtimesh pa zbatim real.
Lini një Përgjigje