
Gazetari dhe eksperti i ekonomisë, Pano Soko ka nxjerrë detaje nga dosja "Bankers" duke listuar abuzimet ndër vite në Shqipëri të kompanisë. Ai ka shpjeguar mekanizmat e evazionit fiskal, duke u ndalur te manipulimi i të ardhurave dhe rritja artificiale e shpenzimeve. Sipas gazetarit, evazioni realizohet në dy drejtime kryesore.
“Abuzimi ose evazioni ndodhen në dy krahë, qoftë nga krahu i të ardhurave, qoftë nga krahu i shpenzimeve”, u shpreh Soko, duke shtuar se kompanitë synojnë të ulin të ardhurat në mënyrë fiktive ose të rrisin shpenzimet për të shmangur tatim-fitimin.
Ai shpjegoi se fshehja e të ardhurave mund të bëhet përmes shitjeve të ndërmjetme mes kompanive të lidhura.
“Një kompani përpiqet të fshehë të ardhurat duke bërë shitje fiktive… ia kalon një kompanie të lidhur me çmim më të ulët dhe fitimi zhvendoset”, tha Soko, duke përdorur një shembull ilustrues për të shpjeguar skemën.
Soko përmendi edhe rastin e “Bankers”, duke theksuar se shitjet janë raportuar më ulët se çmimi i tregut.
“Bankersi deklaronte me 70 për qind shitjet… ndërkohë që në treg ‘brent’-i përfshin edhe Shqipërinë”, deklaroi ai.
Sipas tij, një tjetër formë është fryrja e shpenzimeve përmes faturimeve të rritura mes kompanive të lidhura.
“Pasi ulen të ardhurat, rriten shpenzimet… një produkt që kushton 500 lekë deklarohet 2000 lekë”, shpjegoi Soko, duke shtuar se kjo çon në uljen e fitimit dhe rrjedhimisht të taksave.
Duke folur për hetimet, ai theksoi se çështja kërkon angazhim të madh institucional për shkak të shtrirjes në kohë.
“Janë rreth 23 vite histori… kërkon forcë dhe kapital njerëzor shumë më të madh për t’u hetuar”, u shpreh ai.
Soko vlerësoi se hetimet aktuale janë të kufizuara në disa raste konkrete. “Me këtë nivel angazhimi… do të merren 2-3 çështje, por nuk mjafton për t’i dhënë drejtim aferës Bankers”, deklaroi ai.
Ai theksoi se evazioni është i shpërndarë ndër vite dhe kërkon analizë të vazhdueshme.
“Nuk ka një vit që ngjan me tjetrin… diku janë fshehur 100 milionë, diku 10 milionë, diku 200 milionë”, tha Soko, duke nënvizuar se nevojitet një hetim më i thelluar dhe afatgjatë.
Lini një Përgjigje