
Gazetari Elton Qyno ka ngritur shqetësime mbi cilësinë e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke theksuar se një pjesë e dosjeve të bujshme paraqesin mangësi serioze.
Ai deklaroi se në disa çështje mungojnë prova të forta, dëshmitarë dhe ka probleme me aktet e ekspertimit financiar.
“Shumë dosje të SPAK kërcasin në shumë drejtime. Në prova, dëshmitarë, aktet e ekspertimit financiar”, u shpreh Qyno.
Sipas tij, këto problematika po evidentohen veçanërisht në fazën e gjykimit, ku përballen argumentet e prokurorisë me ato të mbrojtjes.
“Deri në këtë fazë kanë qenë vetëm çfarë ka thënë Prokuroria, por në gjykatë është edhe pala tjetër”, tha ai.
Gazetari përmendi disa prej çështjeve më të njohura, si ato që lidhen me Erion Veliajn, Ilir Metën apo tenderin Kardhiq-Delvinë, duke theksuar se disa elementë të tyre janë kontestuar.
“Që tek dosja e zotit Meta që është kontestuar çështja e aktit financiar”, deklaroi Qyno.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime për mënyrën e trajtimit të provave nga prokuroria.
“SPAK të çon në gjyq dhe të jep shumë pak material… kur vjen në gjyq i paraqet gjykatës rreth 100 fashikuj”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo sjell zvarritje të proceseve.
Sipas tij, një pjesë e gjyqeve po shtyhen pikërisht për shkak të volumit të madh të materialeve dhe kohës së nevojshme për shqyrtim.
“Erion Veliaj për këtë po zgjat… nuk ka kohë të lexojë 60 mijë faqe brenda një jave”, tha gazetari.
Qyno deklaroi gjithashtu se ritmi i punës së SPAK është ngadalësuar. “Duket sikur puna e SPAK ka rënë se një pjesë e madhe e gjyqeve shtyhen”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje