
Pensionistët u mblodhën sërish në protestë përpara Kryeministrisë, me një kërkesë kryesore: Rritjen e pensioneve. Kjo është protesta e tretë e thirrur nga Lëvizja Bashkë që bëri bashkë pensionistët.
Ata u bëjnë thirrje moshave të treta të dalin në protestë pasi vetëm kështu mund të ketë një ndryshim mbi pensionet e tyre.
Kimete, një zonjë e ardhur nga Elbasani për protestën, tha se puna prej 42 vitesh si juriste nuk është shpërblyer, duke sjellë zhgënjim në këtë faze të jetës së saj.
“Kam punuar 42 vite dhe sot me vjen për të qarë sesi jetojmë me atë lloj pensioni. Me profesion jam juriste. Marr 300 mijë, nuk e quaj pension të madh sepse ky është haku jonë. Para të tjerëve dhe nuk flas se kam njerëz që kanë pensione se kanë 150 mijë lekë dhe pse kam të drejte, por me vjen keq”, u shpreh pensionistja Kimete Lengo.
Fëmijët janë shpresa dhe ndihma e vetme e shumë pensionistëve. Por për Kimeten të merrte para nga fëmija i saj, do të ishte tronditja e radhës për të.
“Sot ne na thonë fëmijët, do lek ti? Ke lek ti mami, unë nuk e pranoj dot dhe sikur të mos kem them kam…Fëmijët na ndihmojmë, mu desh që pas kaq vitesh të bëja një operacion, ku do ti gjeja lekët. Më erdhi vajza dhe u detyrova ti pranoja, nuk kisha rrugë tjetër”, tha pensionistja.
Jo të gjithë pensionistët, kanë fatin të ketë fëmijë e t’i ndihmojnë. Pensionin dhe sfidat e tij, duhet t’i përballojnë vetë.
“Protesta e parë, dua që të na rriten pensionet. Unë marr 186 mijë lekë, unë se di dot kafen në qendër, duhet të dal në periferi, këtu është 80 andej 50 lekë. Nuk më ndihmon njeri, vetëm. Me kursime, sa për të ngrënë se nuk bëj shumë shpenzime, me marr fruta përditë nuk marr dot.
Edhe shumë nuk ka, duhet të ketë më shumë. Ndoshta nga frika, ai që e ndjen xhepin e vet duhet të dali këtu. 180 mijë lekë, bashkë me rritjen. Shkova për të marrë pensionin dhe 1 ore nuk i kaloi njëri 140 mijë lekë që merr. Si ja dalim, ja duke i lypur fëmijëve, nuk i dilet ndryshe. Të përditshmet, 1 kg domate shkon 120 lekë, i marrim kokrra-kokrra, një domate një trangull”, u shpreh një tjetër.
Protestat e pensionistëve do të vijojnë derisa të ketë një përgjigje për kërkesat e tyre, që janë: rritja e minimumit jetik, rritja e pensionit sociale dhe çdo lloj pensioni, të shtohen ilaçet e rimbursueshme si dhe të miratohet statusi i minatorit.
Lini një Përgjigje