Padia e Kryebashkiakut Erion Veliaj në Gjykatën Administrative ndaj emërimit të Olsi Dados si Prokuror në vitin 2008 duhet të plotësohet, ndërsa Gjykata caktoi datën 8 maj për zhvillimin e seancës së rradhës. Kryebashkiaku ka një afat 20 ditor për të plotësuar padinë, në të kundërt ajo nuk do të ketë vlerë dhe çështja mbyllet.
Seanca e sotme, që konsiderohet paraprake ka zgjatur rreth 1 orë, por ajo është shoqëruar me kundërshti dhe debate, madje në një rast nuk kanë munguar edhe batutat nga Kryebashkiaku, të cilit iu tërhoq vëmendja nga Gjykata.
Në padinë e tij drejtuar Administratives, Veliaj kërkon shpalljen si të pavlefshme të dekretit të vitit 2008, kohë kur postin e Presidentit të Shqipërisë e mbante Bamir Topi, lidhur me emërimin e Olsi Dados si prokuror.
Dado nuk ishte prezent në sallën e gjyqit, teksa përfaqësohej nga avokati Erarbër Madhi.
Gjithashtu të pranishëm në seancë ishin edhe përfaqësuesja e Presidencës, Sara Bërdullima, por edhe përfaqësuese e KLP-së, Danja Hobdari.
Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca u shpreh se pyetja që shtrohet është nëse Olsi Dado është ose jo prokuror?
Debatet
Avokati Ndreca: Gjykata të konstatojë pavlefshmërinë e dekretit të presidentit të vitit 2008 për mandatin e prokurorit Olsi Dado. Akti ka pasoja direkte mbi kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Dado nuk plotësonte kriteret ligjore për të qenë prokuror, pasi nuk kishte përvojën e kërkuar si magjistrat, pedagog ose këshilltar ligjor, dhe për këtë arsye gjykata është kompetente për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje. Pavlefshmëria absolute e aktit mund të kërkohet nga çdo institucion
Erion Veliaj: Unë nuk jam këtu për hakmarrje, as për dramën e familjes time dhe për atë që i ka shkaktuar ai familjes sime. Jam këtu për të treguar çfarë i ka shkaktuar kjo Bashkisë së Tiranës. Kur shoh njerëz që nuk kanë mbaruar magjistraturën dhe arrestojnë qytetarë. Jam i vetmi njeri që jam arrestuar nga dikush që nuk ekziston. Nesti Angoni nuk ekziston.
Unë jam kallëzuar për inceneratorët, dje fitova gjyqin për shpifje, me italianin. Kam frikë se e gjitha kjo është një intrigë. Kë ka dëmtuar Erion Veliaj në punën e vet? Ajo që më ngacmoi të bëja këtë padi, është i vetmi rast që afati 2 javor për të regjistruar një procedim nuk është regjistruar pas 7 muajsh, kur afati është 15 ditor. Kërcitën shumë gjëra në këtë proces.
Kjo s’ka lidhje me SPAK-un apo me reformën në drejtësi. 7 muaj regjistrim procedimi dhe me pas 1 vit tjetër regjistrimi i emrit tim. Më është bërë një vetting i jetës sime. Më është hetuar jeta…
Më është kërkuar disa herë të ndërhyj për lejen e tij (Ols Dados) tek Rruga e Kavajës, i kam thënë që ti mor njeri nuk e ke me mua e ke me KKT-në, më kanë ardhur edhe drejtoreshat e bashkisë më kanë thënë që ky njeri nuk është jurist. Ky më ka marrë me telefonin e shtetit dhe kërkonte leje për hallet e veta.
Përfaqësuesja e Presidencës: Ajo çfarë më bën përshtypje është se avokati Ndreca i referohet një neni të ligjit, 87/37, por në atë kohë propozimet bëheshin nga prokurori i përgjithshëm, vlerësimi kandidaturave bëhej nga Këshilli i Prokurorisë dhe presidenti është hallka e fundit. Në arkivën tonë, ka vetëm një dekret, nuk ka një relacion…
Veliaj: Ju po thoni që në këtë propozim nuk ka një relacion në lidhje me këtë çështje.
Presidenca: Me kaq dokumentacion në këtë kohë nuk do të ishte dekretuar, por në atë kohë ne nuk e dimë si ka qenë ligji.
Avokati i Olsi Dados: Gjykata nuk duhet të pranojë padinë, pasi pala paditëse nuk ka interes të ligjshëm për të kundërshtuar një akt individual. Ky akt nuk ka prodhuar asnjë efekt për paditësin e as për Bashkinë Tiranë, pasi në atë çështje ishte edhe një tjetër prokuror.
Veliaj: Ju po më thoni që në këtë emërim nuk ka asnjë gjë, veç një letre?
Presidenca: Ne në arkivë nuk kemi një relacion të arsyetuar.
Veliaj: Nëse këta thonë do emërojnë prokuror gomarin e Babatasit, ju do nxirrnit dekret?
Gjykata: Jo këto terma
Veliaj: E kam folklorike…
Gjykata: Duhet të rregulloni padinë, në të kundërt brenda 20 ditëve vendoset pushimi i padisë. Gjykata konstaton se ka elemente të ndërgjyqësisë, e vendosni ju nëse duhet ta thirrni KLP-në si palë e paditur, por jo si palë e tretë.
Përfaqësuesja e KLP-së: Gjykata nuk duhet të pranojë padinë, pasi nuk kanë interes të ligjshëm.
Lini një Përgjigje