Reagon gruaja e komunitetit muxhahedin: Po na rrezikoni sigurinë, do ndjek hapat ligjorë
Prej disa ditësh në mediat shqiptare dhe rrjetet sociale ka bërë bujë një lajm, ku shihet një zonjë me shami, pjesë e komuniteti muxhahedin në Manëz, para një shkolle. Lajmi u publikua fillimisht nga “Jeta Osh Qef” dhe më pas në media të tjera, duke ngritur pretendime se rrezikoheshin fëmijët nga zonja në fjalë.
Për shkak të bujës së lajmit, sot reagoi edhe policia, e cila ka marrë në pyetje zonjën dhe doli me një reagim publik, duke bërë me dije se nuk ka asnjë rrezik.
“Shtetaset, me inicialet M. G. dhe A. G., u shoqëruan më datë 21.04.2026 në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Nga verifikimet e deritanishme rezulton se këto shtetase janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare. Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve. Policia e Shtetit garanton qytetarët se, në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve”, theksoi policia.
Ndërkohë vetë përfaqësues të kampit të Manzës, kanë bërë publike një letër drejtuar portalit “Jeta Osh Qef”, letër e shkruar nga vetë zonja në fjalë. Në letër ajo tregon se kishte shkuar për shërbime mjekësore dhe duke pritur jashtë, ka zhvilluar një bisedë me disa adoleshentë.
“E vërteta e çështjes është se në kohën e përmendur, unë bashkë me disa shokë shkuam në një qendër mjekësore për procedura mjekësore. Ndërsa po prisja jashtë që ata të ktheheshin, zhvilloj një bisedë e shkurtër dhe krejtësisht normale me disa adoleshentë në një hapësirë publike. Ky ndërveprim ishte plotësisht i zakonshëm, pa ndonjë qëllim ose përmbajtje kriminale, dhe bën pjesë në kuadrin e shkëmbimeve të zakonshme sociale”, theksohet në letër.
Letra e plotë
21 prill 2026
I nderuari Redaktor i JOQ-së,
Kjo është letra e dytë që po ju drejtohem. Fatkeqësisht, letra e mëparshme që ju dërgova nuk u publikua. Duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes, njollosjes së karakterit dhe kërcënimin ndaj sigurisë sime personale të shkaktuar nga reportazhi i rremë që më atribuohet, po ju shkruaj përsëri këtë letër.
Siç e përmenda edhe në letrën time të mëparshme, media juaj publikoi një video të shkurtër pa dijeninë time dhe pa pëlqimin tim, duke më atribuar akuza krejtësisht të rreme. Këto pretendime janë paraqitur në atë mënyrë që shtrembërojnë një ngjarje të zakonshme dhe të përditshme në një hapësirë publike, duke e paraqitur atë në mënyrë mashtruese dhe alarmuese, dhe kanë nxitur qëllimisht opinionin publik kundër meje.
E vërteta e çështjes është se në kohën e përmendur, unë bashkë me disa shokë shkuam në një qendër mjekësore për procedura mjekësore. Ndërsa po prisja jashtë që ata të ktheheshin, zhvilloj një bisedë e shkurtër dhe krejtësisht normale me disa adoleshentë në një hapësirë publike. Ky ndërveprim ishte plotësisht i zakonshëm, pa ndonjë qëllim ose përmbajtje kriminale, dhe bën pjesë në kuadrin e shkëmbimeve të zakonshme sociale.
Megjithatë, veprimi i një individi që filmoi skenën pa pëlqimin tim dhe ia dorëzoi medias së bashku me një interpretim të shtrembëruar, ka çuar në krijimin e një narrative të rreme. Më pas, media juaj, pa kryer hetimet e nevojshme dhe pa paraqitur ndonjë provë të besueshme, më drejtoi akuza shumë serioze, pas së cilës edhe media të tjera e ribotuan historinë.
Nga pikëpamja ligjore, këto veprime përbëjnë qartësisht sa vijon:
1. Shpifje dhe përhapje të gënjeshtrave me qëllim dëmtimin e nderit dhe reputacionit tim personal;
2. Njollosje e karakterit dhe shkaktim dëmi serioz moral ndaj meje;
3. Shkelje të privatësisë përmes filmimit dhe publikimit të paautorizuar;
4. Nxitje të opinionit publik duke publikuar përmbajtje të rreme dhe provokative.
Është e rëndësishme të theksohet se edhe në tekstin e publikuar është pranuar se “nuk ka pasur prova specifike”, megjithatë të njëjtat pretendime të pabaza u ribotuan në një mënyrë që ka krijuar një atmosferë akuzash dhe dyshimi publik.
Për më tepër, ribotimi dhe shfrytëzimi i kësaj historie nga media të lidhura me regjimin iranian, me qëllim demonizimin e Muxhahedinëve, zbulon dimensionet më të gjera të kësaj veprimi dhe efektet e dëmshme që ka mbi sigurinë individuale dhe shoqërore. Kjo po ndodh në një kohë kur ekzekutimet e anëtarëve të Muxhahedinëve brenda Iranit janë intensifikuar dhe vetëm në javët e fundit, 16 anëtarë dhe mbështetës të Muxhahedinëve janë ekzekutuar nga regjimi diktatorial që sundon Iranin.
Gjatë kohës që kam jetuar në Shqipëri si banor i Ashraf 3, nuk kam parë gjë tjetër veç mirësie dhe mikpritjeje nga populli shqiptar dhe, në këmbim, marrëdhëniet tona me popullin shqiptar kanë qenë gjithmonë respektuese. Si aktivist i të drejtave të njeriut në Shqipëri, jam njohur gjithashtu dhe e lidhur me organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave.
Prandaj, ju kërkoj që të publikoni letrën time në lidhje me pabazën e reportazhit të publikuar, në mënyrë që të informohet publiku. Po bashkëngjis gjithashtu edhe letrën time të mëparshme.
Nëse ju nuk e përgënjeshtroni lajmin dhe nuk e botoni edhe letrën time përpara publikut shqiptar atëherë unë do të ndjek rrugën ligjore për të mbrojtur imazhin dhe reputacionin tim.
Me respekt: M.G.
Lini një Përgjigje