Disa lagje dhe fshatra mbeten pa drita, ndërsa rrugët bllokohen nga uji pas mbingarkesës së kanalizimeve
Reshjet e dendura të shiut dhe era e fortë që përfshinë Lezhën ditën e sotme kanë shkaktuar probleme të shumta në disa zona të qytetit dhe rrethinave, duke lënë mijëra familje pa energji elektrike dhe duke vështirësuar qarkullimin.
Sipas informacioneve në terren, ndërprerje të energjisë janë regjistruar në zonën pranë Hotelit të Gjuetisë, në Ishull-Lezhë dhe në disa lagje të tjera, ku furnizimi është ndërprerë për disa orë. Kjo situatë ka krijuar vështirësi për banorët dhe bizneset, veçanërisht në zonat me aktivitet turistik.
Reshjet kanë shkaktuar gjithashtu përmbytje në disa pjesë të qytetit. Më të prekurat kanë qenë lagjet “Besëlidhja” dhe “Skënderbeg”, ku si pasojë e intensitetit të shiut dhe mbingarkesës së rrjetit të kanalizimeve, uji ka dalë në sipërfaqe dhe është grumbulluar në rrugë dhe zona banimi.
Si pasojë, lëvizja e qytetarëve është kufizuar, ndërsa qarkullimi i automjeteve është vështirësuar në disa segmente rrugore.
Burime lokale bëjnë me dije se situata është ndikuar edhe nga punimet nëntokësore për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve, të cilat kanë reduktuar përkohësisht kapacitetin e sistemit për përballimin e reshjeve.
Banorët kanë shprehur shqetësim për përsëritjen e këtyre problematikave, duke theksuar nevojën për investime më të qëndrueshme në infrastrukturën energjetike dhe atë të kullimit të ujërave.
Lini një Përgjigje