Shtatë zyrtarë të Komisariatit të Policisë në Peqin janë përjashtuar përfundimisht nga radhët e Policisë së Shtetit pas një hetimi disiplinor që evidentoi shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës. Vendimi vjen pas pezullimit të mëparshëm të tyre dhe lidhet me mosmarrjen e masave për kontrollin e territorit.
Nga strukturat e Drejtorisë së Standardeve Profesionale është konstatuar se zyrtarët nuk kanë ushtruar kontrolle të mjaftueshme në zonën që mbulonin, duke lejuar funksionimin e një magazine që dyshohet se është përdorur për kultivimin e kanabisit për më shumë se një vit. Gjatë verifikimeve janë gjetur sasi të konsiderueshme kërcenjsh të bimëve të drogës, çka ka ngritur dyshime për aktivitet të vazhdueshëm të paligjshëm.
Zyrtarët e përjashtuar janë Altin Gusho, Danjel Kacaniku, Sefer Dushku, Muharrem Zylyfi, Bilbil Lita, Denis Sinani dhe Arben Koseni, të cilët mbanin funksione të ndryshme brenda strukturës së komisariatit.
Burime zyrtare bëjnë me dije se ky rast është marrë si shembull për të forcuar disiplinën dhe kontrollin e brendshëm në radhët e policisë. Në takimet e para me drejtuesit vendorë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka paralajmëruar se raste të ngjashme nuk do të tolerohen dhe ka kërkuar rritje të kontrolleve periodike në territor, veçanërisht në ambientet që paraqesin rrezik për kultivim të lëndëve narkotike.
Hetimet mbi këtë çështje vijojnë për të përcaktuar përgjegjësi të tjera të mundshme dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
Lini një Përgjigje