TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Prill 2026, 12:19

Shefi i ri i OLAF: BE duhet të godasë pa mëshirë rrjetet e mashtrimit

Shkruar nga Pamfleti
Shefi i ri i OLAF: BE duhet të godasë pa mëshirë rrjetet e
Zyra e OLAF

Petr Klement thekson se autoritetet duhet të veprojnë si një strukturë e përbashkët për të përballuar krimin financiar ndërkufitar

Shefi i ri i Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), Petr Klement, deklaroi për Euractiv se institucionet e Bashkimit Evropian duhet të bashkëpunojnë më ngushtë dhe në mënyrë të koordinuar për të luftuar mashtrimin financiar.

Kur Klement hapi zyrën e tij si drejtues i OLAF, shumica e sendeve personale ishin ende në kuti. Prokurori çek sapo kishte marrë drejtimin e një prej pozicioneve më të ndjeshme në BE, që mbikëqyr hetimet për mashtrim, korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve evropiane. Dy muaj pas marrjes së detyrës, ai e përshkruan situatën si “të hipësh në një tren që është në lëvizje”.

Përveç pjesëmarrjes në kontrolle dhe trajtimit të çështjeve të brendshme të stafit, Klement përballet edhe me pyetje themelore mbi rolin aktual të OLAF. Zyra funksionon paralelisht me Prokurorinë Publike Evropiane (EPPO), e cila ka trajtuar çështje penale dhe ka zbuluar skema të mëdha mashtrimi ndërkufitar, veçanërisht në fushën e TVSH-së dhe doganave, fusha që më parë konsideroheshin kompetencë natyrore e OLAF.

Kjo situatë ka ngritur pyetjen gjithnjë e më të shpeshtë në Bruksel: cili është roli i OLAF sot?

Klement jep një përgjigje të drejtpërdrejtë: institucionet duhet të veprojnë si një “tufë”, duke bashkëpunuar për të ndjekur dhe ndalur mashtruesit. Ai thekson se lufta kundër mashtrimit nuk duhet të udhëhiqet nga rivaliteti institucional, por nga bashkëpunimi.

Sipas tij, BE ka shumë aktorë të angazhuar në këtë fushë, si OLAF, EPPO, policitë kombëtare, autoritetet doganore dhe organet e auditimit, por sfidat mbeten në mbivendosjen e mandateve, mungesën e ndërlidhjes së sistemeve të të dhënave dhe paqartësinë e përgjegjësive.

Rreziku i mashtrimit është rritur bashkë me rritjen e buxhetit të BE-së. Fondet e rimëkëmbjes pas pandemisë zbuluan dobësi në shpërndarjen dhe monitorimin e fondeve, ndërsa modele të ngjashme pritet të përdoren edhe në të ardhmen.

Klement paralajmëron se grupet kriminale veprojnë në nivel global, duke shfrytëzuar tregtinë ndërkombëtare për të nënvlerësuar mallrat, shmangur detyrimet doganore dhe për të konkurruar padrejtësisht bizneset e ligjshme.

Ai thekson se bashkëpunimi ndërkufitar është thelbësor: autoritetet duhet të ndajnë informacionin dhe ta analizojnë atë në mënyrë të përbashkët, pa ndërhyrë në kompetencat e njëri-tjetrit.

Klement nënvizon se OLAF nuk duhet të gjykohet vetëm sipas standardeve të ndjekjes penale. Roli i saj përfshin identifikimin e modeleve të mashtrimit, koordinimin e autoriteteve, rikuperimin e fondeve dhe zbulimin e dobësive sistemike.

Me një përvojë rreth 25-vjeçare në prokurori, përfshirë punën në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe në EPPO, Klement thekson rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese.

Një nga kompetencat më të ndjeshme të OLAF mbetet hetimi i brendshëm i institucioneve të BE-së. Zyra ka të drejtë të hyjë në ambientet e institucioneve dhe të sekuestrojë dokumente dhe pajisje pa paralajmërim. Ky kompetencë ka shkaktuar reagime, veçanërisht nga eurodeputetë të përfshirë në skandale me fondet e BE-së.

Klement thekson se keqpërdorimet ekzistojnë kudo dhe se është e rëndësishme që institucionet të veprojnë me transparencë dhe përgjegjshmëri.

Në vijim, OLAF synon të publikojë të dhëna më të detajuara mbi fondet e rikuperuara dhe aktivitetin në shtetet anëtare, për të treguar ndikimin konkret të punës së saj. Megjithatë, sipas Klement, suksesi do të matet mbi bazën e rezultateve konkrete, bashkëpunimit më të shpejtë me prokurorët dhe zbatimit efektiv të rekomandimeve.

Ai synon të dëshmojë se OLAF mbetet një institucion i rëndësishëm në luftën kundër mashtrimit në Bashkimin Evropian. /Përshtati Pamfleti/

 

olaf krimi financiar lufta

Lini një Përgjigje