
Rrjetet kriminale po depërtojnë në institucionet shtetërore, duke e kthyer Belgjikën në portën kryesore të drogës në kontinent. Ky depërtim mafioz po sfidon hapur sundimin e ligjit dhe sigurinë e qytetarëve në qendër të Evropës...
Në tetor të vitit 2016, një dasmë e bujshme tronditi Antverpenin (Antwerp). Një nuse dhe dhëndri i saj, pasardhës të një familjeje të njohur belge-marokene, festuan me një paradë sfiduese nëpër Borgerhout - një lagje e rrënuar vetëm pak qindra metra larg stacionit kryesor të qytetit, që i ngjan një katedraleje të vërtetë.
Deri këtu asgjë e çuditshme. Por ajo nuk ishte një paradë e zakonshme. Ishte një dasmë gangsterësh, ku burri ishte anëtar i “Turtle Clan”, një grup famëkeq trafikantësh kokaine, ku shfaqja e pasurisë dhe pushtetit kishte shumë më tepër rëndësi sesa dashuria.
Kështu, “të fortët” kaluan nëpër rrugicat e ngushta të Borgerhout-it me makinat e tyre sportive, duke ekspozuar orët e shtrenjta dhe bizhuteritë, ndërsa pamjet u bënë virale në rrjetet sociale. Flandra konservatore u trondit.
Autoritetet belge kishin parë sesi “Turtle Clan” ishte ngritur pothuajse brenda natës nga trafikantë të vegjël rruge, në bosë të mëdhenj ndërkombëtarë. “Tregtarët tanë të vegjël të drogës kishin arritur majat”, tha me ironi një prokuror për UnHerd.
Edhe pse me vonesë, politikanët kërkuan hetime të thelluara për pastrim parash dhe trafik kokaine, ndërsa gazetarët, duke shijuar dramën, e quajtën Borgerhout-in “Borgerokko”, kryeqytetin e ri të kokainës.
Një dekadë pas asaj dasme, Evropa e ka tejkaluar SHBA-në si tregu më i madh i kokainës në botë. Një përzierje ndërkombëtare trafikantësh - huliganë holandezë të stilit të vjetër, klane marokene nga Borgerhout, mafiozë italianë dhe banda të pamëshirshme ballkanike - janë tërhequr si fluturat pas dritës drejt Antverpenit dhe portit të tij gjigant.
Belgjika dhe Holanda, ku ndodhet edhe porti i madh i Roterdamit, janë përballur me pjesën më të madhe të këtij gangsterizmi të ri. Tetorin e vitit të kaluar, një gjyqtare federale anonime nga Antverpeni tronditi Belgjikën me një letër të hapur, pasi kishte kaluar katër muaj në një shtëpi të sigurt për shkak të kërcënimeve serioze për jetën. Ajo pretendoi se “struktura të gjera mafioze janë rrënjosur tashmë në Belgjikë, duke u bërë një forcë paralele që sfidon jo vetëm policinë, por edhe të gjithë sistemin gjyqësor”, duke shtuar se ryshfeti po depërton në institucione nga poshtë lart. Madje, ajo sugjeroi se vendi po shkon me shpejtësi drejt statusit të një “narkoshteti” - një paralajmërim drithërues që u përsërit edhe nga një gjyqtar tjetër vetëm muajin e kaluar.
Këto pretendime meritojnë një shqyrtim të imtësishëm, ashtu si edhe mënyra se si bandat e drogës kanë depërtuar kaq thellë në indin e shoqërisë belge. Edhe pse Belgjika nuk klasifikohet ende teknikisht si narkoshtet, ky shpërthim i krimit po përhapet me shpejtësi përtej kufijve të saj.
Në dekadën e fundit, vende nga Suedia deri në Britaninë e Madhe janë sfiduar nga rritja e mafieve të kokainës, tashmë të fuqizuara nga sukseset e tyre në Shqipëri, Spanjë dhe Itali. Pyetja kryesore që shtrohet sot është: a mund të ndalen ndonjëherë këto rrjete?
Sot, Borgerhout në dukje nuk ngjan me një vatër të trafikut. Vitin e kaluar, revista Time Out e shpalli atë si lagjen më “cool” në Evropë, duke lavdëruar shpirtin e saj kreativ, tarracat me gjelbërim dhe rrugët plot jetë, ku dyqanet tradicionale marokene bashkëjetojnë me kafenetë moderne.
Por përpara se të mbërrinin “hipsterët” një dekadë më parë, zona njihej për dominimin e klaneve marokene, kryesisht me origjinë nga malet e ashpra të Rif-it, të cilët kishin ardhur si punëtorë krahu në vitet 1960.
Këta klane kriminale zgjodhën një bazë ideale operative. Antverpeni është një nga qendrat më të mëdha të transportit detar në botë, duke përpunuar mbi gjysmën e mallrave që hyjnë në kontinent.
Me kontejnerë që shtrihen në një vijë prej 160 kilometrash, shkalla e portit është pothuajse e pamundur të kuptohet pa ndihmën e një droni. Mes këtij vërshimi kolosal mallrash, ku vetëm rreth 2 për qind e tyre kontrollohen realisht, kontrabanda e tonëve të kokainës bëhet një proces relativisht i lehtë.
Për tre vite radhazi, Antverpeni ka thyer rekorde për sekuestrim droge, ndërsa Roterdami renditet menjëherë pas tij. Kontrabandistët nga Borgerhout dhe të afërmit e tyre në Holandë u shndërruan në disa prej trafikantëve më produktivë në mbarë Evropën.
Brenda pak brezash, ata kaluan nga tregtia e thjeshtë e hashashit në lojtarë kyç të tregut miliardësh të kokainës, me operacione që shtrihen nga prodhimi në Amerikën e Jugut deri te pastrimi i parave në Dubai.
Kjo e ka kthyer Belgjikën në një magnet të dhunës dhe korrupsionit. Në Bruksel janë regjistruar tashmë disa vrasje brutale të lidhura drejtpërdrejt me kokainën. Që nga vrasja e trafikantit holandez Najib Bouhbouh në vitin 2012, incidentet e dhunës janë rritur në mënyrë eksponenciale.
Madje, vitin e kaluar, banorët e tmerruar të Brukselit gjetën një trafikant të dyshuar shqiptar të ekzekutuar dhe të varur në një tabelë rruge si mesazh mafioz. Ndonjëherë në këtë kaos të përgjakshëm përfshihen edhe civilë të pafajshëm.
Në vitin 2022, një atentat i dështuar ndaj eksponentit kriminal Othman el-Ballouti çoi në vdekjen tragjike të kushëririt të tij vetëm 11-vjeçar, ngjarje që u pasua nga një seri shpërthimesh me bomba.
Ndërkohë, trafiku i drogës vazhdon i pashqetësuar. Shumë kontejnerë kalojnë falë bashkëpunimit të punonjësve të korruptuar, ndërsa të tjerë thjesht nga fati. Droga nxirret nga ekipe të specializuara “nxjerrësish” - shpesh adoleshentë që përdoren enkas sepse përballen me dënime më të lehta.
Më pas, ajo shpërndhet në gjithë zonën Schengen, duke furnizuar tregjet nga Berlini dhe Milano deri në Mançester dhe Athinë. Në vitin 2016, marrëveshja historike e paqes në Kolumbi me grupin FARC e ndryshoi rrënjësisht tregtinë globale.
Grupet e armatosura humbën kontrollin mbi prodhimin dhe trafikantët e rinj, më agresivë, hapën rrugë të drejtpërdrejta drejt Evropës, ku fitimet janë shumë herë më të larta se në SHBA.
Sot, rolet tradicionale janë shkrirë: marokenët, shqiptarët dhe mafia italiane bashkëpunojnë ngushtë, duke ndarë logjistikën për të maksimizuar fitimin.
Autoritetet po hasin vështirësi serioze për të reaguar.
Një ish-hetues në Antverpen thotë se qyteti është bërë “epiqendra e një përmbytjeje kokaine”, ndërsa burimet policore janë krejtësisht të pamjaftueshme përballë karteleve që disponojnë buxhete miliarda euro.
Politika e fragmentuar e Belgjikës shpesh bëhet pengesë për një bashkëpunim efikas. Ndërkohë, kartelet fokusohen te korruptimi i “nyjeve kyçe” të sistemit: nëpunës portualë, administratorë dhe policë.
A është vërtet Belgjika një narkoshtet? Ekspertja Anna Sergi nuk është plotësisht e bindur. Sipas saj, narkoshtetet e vërteta janë vende ku shteti ka humbur totalisht monopolin e dhunës - një situatë që nuk reflektohet ende në Belgjikë.
Megjithatë, fqinji i tyre, Amsterdami, po përballet me një problem edhe më të rëndë, duke përfshirë vrasjen në mes të ditës të gazetarëve investigativë dhe avokatëve.
Pavarësisht përpjekjeve, droga vazhdon të qarkullojë në sasi të paimagjinueshme. Çmimet në rrugë mbeten çuditërisht të ulëta dhe pastërtia e kokainës është në nivelet më të larta historike. Bandat po i përshtaten rrethanave duke përdorur teknologji të reja komunikimi dhe duke u zgjeruar në porte të tjera si në Norvegji apo Greqi.
Problemi nuk po zhduket sepse Bashkimi Evropian ofron një treg të përbashkët dhe lëvizje të lirë, por mbrohet nga 27 sisteme policore që shpesh nuk komunikojnë me njëri-tjetrin.
Sipas Sergi-t, e vetmja zgjidhje është një front i koordinuar evropian që godet strukturën financiare, jo vetëm thasët me drogë. Por për momentin, narkotrafiku global vazhdon të rritet.
Ndërsa po gërryen themelet e demokracisë, gangsterizmi i kokainës po kthehet në kërcënimin më serioz që kontinenti nuk mund ta shpërfillë më./Pamfleti nga “Unherd”
Lini një Përgjigje