Reshjet e dendura dhe prurjet e mëdha në kaskadën e Drinit kanë vënë në gatishmëri Emergjencat Civile në Shkodër.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka bërë të ditur në rrjetet sociale se është mbledhur Shtabi i Emergjencave Civile, për planin e masave dhe gatishmërinë nga situata e krijuar.
Në këtë takim morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, si dhe prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda.
Gjatë diskutimeve u theksua zbatimi i një plani të detajuar monitorimi dhe koordinimi, me fokus parandalimin dhe reagimin e shpejtë ndaj çdo rreziku të mundshëm.
Autoritetet paralajmërojnë se orët në vijim mund të sjellin përkeqësim të situatës, ndaj u bëhet thirrje banorëve të rrisin vigjilencën dhe kujdesin, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj përmbytjeve.
"Bashkia Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me KESH dhe institucionet e tjera përgjegjëse, ndodhet në gatishmëri të plotë. Për çdo emergjencë apo informacion shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin e telefonit 069 606 0992.
Situata po monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe qytetarët do të informohen në kohë reale për çdo zhvillim të mëtejshëm", shkruan Beci.
Lini një Përgjigje