Pas reshjeve intensive që shkatërruan infrastrukturën e qytetit, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës u përmbyt rëndë. Në të janë izoluar disa personazhe VIP, mes tyre edhe kryebashkiaku Erion Veliaj apo ish-ministri Ilir Beqaj.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, u paraqit në vendngjarje dhe deklaroi se ka monitoruar situatën që në orët e para të mëngjesit dhe se autoritetet ndërhynë për evakuimin e të shoqëruarve në katet më të larta të objektit. “Ne stakuam energjinë elektrike në katin e parë dhe evakuuam personat në katet e sipërme. Po përdorim pompa me kapacitet të lartë që mbërritën nga Ministria e Mbrojtjes për të larguar ujin”, tha Lamallari. Ai theksoi gjithashtu funksionimin e Komisionit të Emergjencave Civile në Durrës për koordinimin e ndërhyrjeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, tha se situata është nën kontroll dhe se po realizohen furnizimet logjistike për operacionet e pastrimit dhe sigurimit të ambientit.
Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur të gjithë Durrësin paraditen e sotme, duke paralizuar komplet qytetin dhe trafikun.
Lini një Përgjigje