
Pas pothuajse 1 orë e gjysmë mbushur me fjalime është mbyllur protesta e thirrur nga Partia Demokratike. Pas përfundimit të fjalimit nga kreu i PD-së, Sali Berisha, protesta u mbyll dhe mbështetësit nisën të shpërndaheshin në mënyrë paqësore.
“Ne jemi e vetmja forcë politike që përmbysëm dy diktatura, atë të Enverit dhe bastardit komunist. Rroftë PD. Miqtë e mi, përsëri krimi është kundër nesh, prokuroria politike dhe gjykata e narkoshtetit janë kundër nesh, por ne përsëri jemi të pamposhtur dhe qëndrojmë si mur në fitoren tonë”, tha Berisha në fund të fjalimit të tij.
Ndërkohë që menjëherë pas përfundimit të protestës Berisha u nis për në aeroportit të Rinasit, për të fluturuar drejt Italisë ku do të zhvillojnë ditën e nesërme një takim me shqiptarët e diasporës në Romë.
Në përgjithësi protesta ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur incidente me përjashtim të një rasti kur gjatë fjalimit të Berishës u hodhën disa kapsollë, dhe për pasojë mbetën të dëmtuar tre efektivë të policisë.
Ndërkohë që deri më tani nuk raportohet për protestues të arrestuar nga ana e policisë për rastin në fjalë.
Lini një Përgjigje