I tmerruar nga prangat, ish Presidenti ka ofenduar kreun e SPAK duke iu drejtuar "Dumduman qen".
Ditën e sotme ish-Presidenti është në gjyq përballë kreut të SPAK, Altin Dumani dhe prokurorëve Arben Kraja e Sotir Kllapi.
Të tre ata janë prokurorë që kanë hetuar dosjen ndaj tij.
Sot pritet një përballje 'titanësh', mes Ilir Metës, i cili herë pas here që nga konferencat e tij për shtyp ka sulmuar ashpër kreun e SPAK, Altin Dumani, që është njëherazi prokuror i çështjes.
Ndërkohë “arbitër” i kësaj çështje do të jetë gjyqtari Erjon Çela. Ai do të vendosë nëse Meta do të qëndrojë në burg apo do të japë një masë më të lehtë.
Sipas gazetarëve të po ndjekin seancën në GJKKO, Meta ka folur me tone të ashpra në sallën e gjyqit.
Ish-Presidenti është shfaqur i tensionuar para togave të zeza në seanca për verifikimin e masës që ka nisur në orën 09:30.
Ish presidenti me tone të ashpra i është drejtuar me fjalë të rënda kreut të SPAK, duke e cilësuar si “Dum duman”, “Qen” dhe madje ka kapur veshin duke i thënë “Këtu ta kam, mbaje mend çfarë kam për të të punuar”.
“Më keni arrestuar me urdhër të narkoshtetit, merrni urdhër nga Rama, është shkelje e ligjit”, mësohet të ketë thënë më tej Meta- kreut të SPAK.
Ndërkohë seanca është shtyrë për në orën 13:30, pasi avokatët kanë kërkuar kohë të njihen me aktet.
Akuzat e SPAK ndaj Metës
Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-presidentin Ilir Meta për ndikime korruptive dhe përfitime monetare.
Në 176 faqe dosje, SPAK thotë se janë vërtetuar veprat penale korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie në disa raste.
Së pari, për marrëveshjen e CEZ me DIA, SPAK thotë se ka administruar prova se Meta në kohën që ka qenë Ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës ka përfituar para në formën e korrupsionit nga biznesmeni Kastriot Ismailaj, në cilësinë e administratorit të kompanisë DIA.
Ky dyshim, provohet sipas prokurorisë edhe përmes disa përgjimeve të realizuara vite më parë, mes të cilave 1 në vitin 2009. Në SPAK, thotë se Meta përmes një sms-je i kërkon biznesmenit, Ismailaj para.
Marrëdhënia e ngushtë mes tyre sipas organit të akuzës provohet dhe nga udhëtimi i tyre drejt Çekisë, atje ku SPAK ka dyshimet se ka nisur marrëveshja mes CEZ dhe DIA.
Një tjetër çështje në dosjen hetimore, është dhe ajo e shpenzimeve mjekësore të ish-çiftit, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, në vlerën e rreth 106 mijë Eurove, para këto që nuk janë deklaruar prej tyre. Këto shpenzime janë zbuluar nga SPAK dhe janë pasqyruar në dosjen voluminoze.
Gjithashtu shpenzime të tjera të reflektuara në materialin hetimor, është dhe pagesa prej 400 mijë Dollarësh e kryer nga LSI për lobim në SHBA, por që nuk është bërë përmes llogarive të LSI-së.
Mes episodeve që SPAK pretendon se ish-Presidenti ka konsumuar veprën penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave është ndërhyrja në kohën kur ishte kryetar kuvendi për futjen në tregun e fibrave optike të një kompanie private si dhe blerja e një duplexi në zonën e ish-bllok.
Këto akuza të ngritura nga SPAK, vetë ish-Presidenti, Ilir Meta i ka hedhur poshtë dhe i ka cilësuar politike. Ish-Presidenti Meta u arrestua mesditën e së hënës në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të Kthesës së Kamzës, teksa për ndalimin e tij forcat e policisë përdorën edhe forcën.
Arrestimi i Metës
Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) më 21 tetor, nën dyshimet për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë” te Kthesa e Kamzës teksa po kthehej nga Kosova.
Ishte ora 13:15 kur të paktën 10 forca, pjesa më e madhe të mbuluar në fytyrë, e ndaluan automjetin me të cilën lëvizte kreu i Partisë së Lirisë, i shoqëruar nga Sekretari Organizativ i PL, Artemis Peca.
"Iu kërkoi mandatin, kush jeni ju, i tha Meta. Më pyetën mua kush je ti. Çfarë kërkoni i thamë? Do vini me na thanë. Na morën nga bluza dhe na tërhoqëm zvarrë, nuk ushtruam asnjë lloj rezistence", tha Peca.
I gjithë momenti i arrestimit të Ilir Metës ka krijuar polemika të shumta në radhët e Partisë së Lirisë, të cilët thonë se ish-presidenti u rrëmbye në mes të ditës nga njerëz me maska. Një grup terrorist e quajti Tedi Blushi, agjentët që arrestuan Metën, duke i kërcënuar se do t’i identifikojnë se kush janë dhe do t’u publikojnë lidhjet me grupet kriminale.
Në momentin e arrestimit, shihet teksa agjentët tërheqin Metën të dalë nga sedilja e parë e pasagjerit, i veshur me bluzë jeshile.
Zyrtarisht policia tha se kjo formë e shoqërimit me forcë erdhi e imponuar pasi Ilir Meta kundërshtoi dhe ofendoi uniformat blu për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme.
SPAK nga ana tjetër sqaroi zyrtarisht se shoqërimi i Metës është kryer nga Policia e Shtetit, pa pasur përfshirjen e asnjë anëtari të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
I vetmi person që e shoqëronte në automjet Metës ishte sekretari organizativ i PL-së dhe nuk ishte asnjë punonjës i gardës së Republikës, siç kushtetuta e parashikon për ish presidentët, që vetë Meta i ka larguar prej kohësh.
Meta kishte shërbyer në postin e presidentit të Shqipërisë nga viti 2017 deri më 2022.
Përveç postit të presidentit, Meta kishte qenë edhe kryeministër, kryetar Kuvendi dhe ministër i Jashtëm./ Pamfleti
Lini një Përgjigje