
Policia ka bllokuar guroren në fshatin Borizanë pas konfliktit në Krujë ku u dhunuan brutalisht Bilbil dhe Jashar Maja nga fisi Rraja. Uniformat blu kanë shkuar pranë gurores dhe kanë ndaluar përkohësisht aktivitetin.
Ky akt është ndërmarrë pak pas takimit të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Kjo gurore ishte shkak i sherrit të ndodhur dy ditë më parë mes anëtarëve të fiseve Rraja dhe Maja. Dy kushërinj të fisit Maja kishin ngritur kallëzim në polici për aktivitetin e gurores, i cili sipas tyre, po i dëmtonte banesat nga shpërthimet e eksplozivëve.
Anëtarët e fisit Rraja reaguan ashpër, duke i dhunuar me shkopinj bejzbolli dy personat të cilën mbetën të plagosur. Në konfliktin e dhunshëm fizik u përfshi djali i deputetit socialist Rrahman Rraja dhe të afërm të tjerë të tij.
Kujtojmë se ditën e sotme Rraja dorëzoi mandatin e deputetit pas skandalit të ndodhur dy ditë më parë.
Lini një Përgjigje