Pas devijimit të trafikut nga aksi Maliq–Gramsh, janë krijuar radhë të gjata automjetesh në këtë segment, i cili aktualisht shërben si një nga alternativat e vetme për lidhjen e juglindjes me kryeqytetin. Devijimi erdhi pas vendimit për bllokimin e plotë të qarkullimit në aksin “Librazhd–Pogradec”, për shkak të rrezikut të shembjes së urës në zonën “Arrat e Gurrës”, pranë Dragostunjës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi mbylljen e segmentit Prrenjas–Librazhd, ndërsa Policia e Elbasanit konfirmoi bllokimin total të aksit “Librazhd–Pogradec” deri në një njoftim të dytë. Sipas njoftimit zyrtar, masa u mor për shkak të përkeqësimit të rrëshqitjes së dheut në zonë, që rrezikon shembjen e urës.
Në këtë segment do të lejohen të qarkullojnë vetëm ambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe mjetet e Policisë. Të gjitha kategoritë e tjera të mjeteve, përfshirë ato të tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla, nuk do të lejohen të kalojnë.
Policia thekson se masa është e detyrueshme dhe kërkon bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve për respektimin e saj.
Për mjetet e vogla është përcaktuar si rrugë alternative aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas. Megjithatë, kjo rrugë paraqet problematika.
Policia e qarkullimit rrugor ka ngritur dy postblloqe përgjatë këtij aksi dhe këshillon drejtuesit e mjeteve për kujdes të shtuar, pasi në pesë pika të ndryshme janë evidentuar shkarje dherash dhe plasaritje të asfaltit.
Gjithashtu, në segmentin Maliq–Moglicë–Gramsh nuk lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe autobusëve.
Për shkak të fluksit të shtuar pas devijimit të trafikut, në disa zona janë raportuar radhë të gjata automjetesh dhe lëvizje e ngadaltë.
Lini një Përgjigje