TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Shkurt 2026, 15:08

Erozioni përparon me shpejtësi, dallgët e detit dëmtojnë segmentin rrugor në Porto Romano

Shkruar nga Pamfleti

Erozioni përparon me shpejtësi, dallgët e detit

Përparimi i detit në zonën bregdetare në veri të qytetit të Durrësit ka shkaktuar dëmtime në argjinaturën e rrugës që lidh hidrovorin me Bishtin e Pallës, duke ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë e këtij segmenti.

Pas dallgëve të forta të ditëve të fundit, gurët mbrojtës përgjatë vijës bregdetare janë zhvendosur, ndërsa rruga paraqet rrezik për dëmtime të mëtejshme. Situata ka vënë në lëvizje strukturat përgjegjëse për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes.

Ndërmarrja “Rruga” ka ndërhyrë në mënyrë emergjente, duke hedhur gurë përgjatë segmentit të prekur me qëllim forcimin e argjinaturës dhe garantimin e qarkullimit.

Fenomeni i erozionit në zonën e Porto Romanos dhe më tej është evidentuar prej vitesh, por episodet e fundit të motit duket se e kanë përshpejtuar procesin gërryes. Si pasojë, edhe brezi i rërës është ngushtuar ndjeshëm.

Përveç faktorëve natyrorë, ndikim në përkeqësimin e situatës kanë pasur edhe ndërhyrjet e pakontrolluara ndër vite në këtë zonë bregdetare.

Ekspertët shprehen për "TCH" se për të shmangur rrezikun ndaj infrastrukturës dhe mjedisit, kërkohet hartimi dhe zbatimi i një projekti të qëndrueshëm për mbrojtjen e kësaj pjese të vijës bregdetare.

Aktualisht, autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ndërmerren masa të tjera për stabilizimin afatgjatë të zonës.

Lini një Përgjigje