TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Qershor 2026, 13:04

Oligarku Bashkim Ulaj rrethon me tela me gjemba tokat në Rrjoll, banorët: Po na mohohen pronat dhe dinjiteti

Shkruar nga Pamfleti
Oligarku Bashkim Ulaj rrethon me tela me gjemba tokat në Rrjoll,
Rrjolli i rrethuar me tela me gjemba

Oligarku Bashkim Ulaj ka rrethuar me tela me gjemba kantierin ku po ndërtohet resorti turistik “Blu Borgo” në zonën e Baks-Rrjollit, në Velipojë. Lëvizja ka nxitur reagimin e banorëve të zonës, të cilët pretendojnë pronësinë mbi tokën ku po zhvillohet investimi dhe prej muajsh kundërshtojnë projektin me protesta të vazhdueshme.

Pamjet e filmuara nga vetë banorët tregojnë vendosjen e gardhit rreth perimetrit të kantierit. Në reagimet e tyre, ata e cilësojnë rrethimin të paligjshëm dhe kanë njoftuar organizimin e një proteste kombëtare më 13 qershor, në orën 11:00, në Rrjoll.

Situata vjen pak kohë pasi në Zvërnec u hoqën telat me gjemba që kishin rrethuar një tjetër zonë të kontestuar. Vendimi pasoi pas një incidenti ku një protestues u dhunua nga punonjës të sigurisë private të kontraktuar nga investitorët. Më pas, mosveprimi i Policisë së Shtetit gjatë protestave çoi në shkarkime dhe nisjen e hetimeve administrative.

Në Baks-Rrjoll, banorët pretendojnë se një ish-zyrtar i Kadastrës së Shkodrës ka manipuluar dokumentacionin e pronësisë, duke përvetësuar sipërfaqe të konsiderueshme toke që më vonë, sipas tyre, i janë shitur investitorit që po ndërton resortin në bregdetin e Velipojës.

Megjithëse çështja është nën hetim nga Prokuroria e Shkodrës, punimet nuk janë ndërprerë. Kjo ka rritur tensionet mes banorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë ndërtuese, si edhe me punonjësit e sigurisë private që ruajnë kantierin. Në disa raste janë regjistruar edhe përplasje fizike mes palëve.

Përplasjet kanë sjellë procedime të shumta penale ndaj banorëve protestues, ndërsa leja e zhvillimit për projektin është miratuar nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Në reagimet e tyre publike, banorët shprehen se gardhi me tela me gjemba nuk simbolizon vetëm humbjen e një prone, por edhe cenimin e dinjitetit të tyre. Ata kanë zhvendosur protestën edhe në Tiranë, duke iu bashkuar tubimeve që prej ditësh po zhvillohen në kryeqytet në mbështetje të kauzës së tyre.

Banorët kërkojnë pezullimin e punimeve deri në përfundimin e hetimeve dhe verifikimin e plotë të dokumentacionit të pronësisë për tokat e kontestuara.

Oligarku Bashkim Ulaj rrethon me tela me gjemba tokat në Rrjoll,

oligarku bashkim ulaj tela me gjemba rrjoll banoret

1 Komente

  1. T
    Tony

    Ja qe shteti Shqiptar i dha nje mesim te mire Trump se si te bllokoje emigracionin masiv te zoterve te tokes.

    Lini një Përgjigje