Kryeministri kundërshtoi kritikat ndaj projektit në Zvërnec dhe deklaroi se investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri për të përfituar nga krah i lirë pune…
Gjatë Konferencës Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, kryeministri Edi Rama u ndal te debati i hapur rreth investimit të planifikuar në Zvërnec, duke iu përgjigjur kundërshtimeve që lidhen me ndikimin e projektit në mjedis dhe me përdorimin e fuqisë punëtore të huaj.
Sipas tij, është e gabuar të pretendohet se kompani të njohura ndërkombëtare të turizmit zgjedhin Shqipërinë për të ndërtuar resorte luksoze me qëllim shfrytëzimin e punonjësve me paga të ulëta.
“Ideja që investitorët e huaj vijnë në Shqipëri për të ndërtuar resorte të cilat janë për shumë të pasur dhe për punonjës nga Pakistani, Bangladeshi apo Filipinet, sepse duan t’i paguajnë pak, është një ide që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Është gabim i madh që të flitet në këtë mënyrë dhe është gënjeshtër e madhe që të mendohet kështu”, tha Rama.
Kryeministri argumentoi se zhvillimi i turizmit në Shqipëri ka kaluar në faza të ndryshme dhe solli si shembull transformimin e bregdetit ndër vite.
“Po të shohim bregdetin shqiptar sot, ka filluar të zhvillohet në Golem. Sot është e paimagjinueshme që dikush, cilido sipërmarrës vendas, të shfaqet në dyert e autoriteteve dhe të propozojë atë lloj zhvillimi. Sepse ai është një zhvillim i papranueshëm, por i lidhur me një kohë kur mundësitë ishin të kufizuara, kur dijet ishin të kufizuara dhe kur aftësia blerëse ishte e kufizuar”, u shpreh ai.
Duke folur për ecurinë e sektorit, Rama tha se standardet janë përmirësuar gradualisht, ndërsa kostot dhe çmimet kanë njohur rritje.
“Pavarësisht problematikave që ka pasur zhvillimi i ndërtimit në fushën e turizmit, gjërat kanë ardhur duke u përmirësuar. Kostoja e ndërtimit ka ardhur duke u rritur, por edhe çmimi duke u rritur. Sot, edhe unë këtë e them me përgjegjësi të plotë, sido që do të thotë të kundërtën, sot problemi kryesor i industrisë së turizmit nuk është ‘sa të paguaj’, pyetja është ku t’i gjej punonjësit përkatës që kanë edhe zanatin për ta bërë atë punë si duhet”, deklaroi kryeministri.
Ai kundërshtoi gjithashtu pretendimet se pagat në sektorin turistik shqiptar mbeten më të ulëta se në vendet fqinje.
“Nëse dikush më gjen një vend në bregdetin shqiptar, flas për investimet dhe hotelerinë, ku paguhet më pak se në Greqi, atëherë unë do detyrohem të rishikoj këtë opinion. Nuk gjendet një vend në bregdetin shqiptar që, sipas niveleve, paga të jetë më e ulët se në Greqi, se në Kroaci, nuk ka”, tha Rama.
Në vijim, ai iu referua debatit për punonjësit e huaj në sektorin e turizmit.
“Cili është problemi? Problemi është që ata që nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj dhe ata që kujtojnë se punonjësit e huaj vijnë këtu si skllevër, ata nuk duan që të punojnë dhe të marrin një pagë si në Greqi ose Kroaci. Ose nuk janë fare në atë fushë. Punojnë në Instagram dhe japin intervista se si jeta e tyre modeste kushton 20 mijë euro në muaj”, u shpreh ai.
Rama deklaroi gjithashtu se nuk ekziston asnjë provë që investimet ndërkombëtare në turizëm kanë dëmtuar natyrën, duke iu përgjigjur kërkesave dhe protestave kundër projektit në Zvërnec.
Kryeministri argumentoi se rritja e cilësisë në turizëm lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e të ardhurave në sektor.
“Sa më e lartë të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta do të jenë pagat. Sa më i lartë të jetë konsumi i atyre që vijnë për të shpenzuar në atë sistem, aq më të larta do të jenë të ardhurat për sistemin”, tha Rama.
Te kemi mbeshtetur si cun Tirone me kulture e edukate, por na dole pallosh pras Kashari. Ti tani je jo vetem per popullin e Tiranes por per te gjithe popullin Shqiptar me qelbesire se ai qe te rrahu e nxiu turinjte dikur.