TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Maj 2026, 17:03

Numër i lartë përdoruesish, toksikologët ngrenë alarmin: Fëmijë 11-vjeçarë konsumojnë drogë

Shkruar nga Pamfleti

Numër i lartë përdoruesish, toksikologët ngrenë

Përdorimi i lëndëve narkotike tek të rinjtë në Shqipëri po shënon rritje shqetësuese, ndërsa mjekët toksikologë paralajmërojnë për uljen e vazhdueshme të moshës së konsumatorëve.

Sipas toksikologes Sonila Tivari Bitri, fenomeni nuk lidhet më vetëm me përdorimin e kanabisit, pasi vitet e fundit është shtuar ndjeshëm edhe konsumimi i kokainës nga adoleshentët dhe të rinjtë.

Mjekja shprehet se kanabisi vijon të jetë substanca e parë me të cilën të rinjtë eksperimentojnë, por tashmë po vihet re një kalim i shpejtë drejt drogave më të forta.

“Ajo çfarë shohim si trend është se nëse kanabisi ka qenë substanca e parë e konsumuar dhe më e shpeshtë edhe në mosha të vogla, tani po prevalon konsumimi i kokainës edhe në mosha të vogla”, u shpreh toksikologia për "Euronews.al".

Sipas saj, shqetësues është fakti që përdorimi i kanabisit po nis që në moshën 11-12 vjeçare, ndërsa kokaina po konsumohet nga të rinj 18 deri në 20 vjeç.

Mjekja thekson se deri pak vite më parë kokaina konsiderohej një substancë “elitare”, e lidhur me status të caktuar social dhe moshë më të rritur, por sot situata ka ndryshuar ndjeshëm.

“Po shohim që edhe adoleshentët po e konsumojnë kokainën. Shpeshherë ata përfshihen edhe në rrjetin e shpërndarjes dhe kjo e bën më të lehtë aksesin ndaj drogës”, tha ajo.

Toksikologët paralajmërojnë se përdorimi i hershëm i lëndëve narkotike sjell pasoja serioze për shëndetin fizik dhe mendor të të rinjve, ndërsa bëjnë apel për më shumë ndërgjegjësim dhe masa parandaluese në familje, shkolla dhe shoqëri.

Sipas specialistëve, eksperimentimi me drogën nis shpesh nga kureshtja apo ambientet festive, por në shumë raste përfundon në varësi të rrezikshme.

lende narkotike toksikologe kanabis kokaine

Lini një Përgjigje