Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zezë, ku ndër të tjera veçojmë:
Ish-gjyqtari belg Michel Claise ka ngritur shqetësime për pastrimin e parave të krimit të organizuar në Shqipëri, duke deklaruar se investimet në hoteleri dhe ndërtim përgjatë bregdetit dyshohet se përdoren për këtë qëllim.
Ndërkohë, IKMT ka konstatuar probleme serioze në projektin “Durrës Marina”, ku dy objekte kanë pësuar ulje deri në 28 cm dhe 18 cm, duke ngritur dyshime për cilësinë e ndërtimit.
Në Gjykatën e Posaçme, SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes për ish-kreun e KPP-së, Jonaid Myzyri, ndërsa vendimi pritet më 25 maj.
Po në GJKKO, vijon procesi ndaj grupit të Laert Haxhiut, ku dëshmitarë kanë rrëfyer episode të rënda kriminale, përfshirë atentatin ndaj Kujtim Metës dhe shpërthimin në lokalin e familjes së Noizy-t.
Në Sarandë, një 42-vjeçar u plagos me thikë pas një konflikti, ndërsa autoritetet po hetojnë ngjarjen.
Në Tiranë është konfiskuar një pallat 12-katësh për shkelje të lejes së ndërtimit, ndërsa në Sarandë është sekuestruar një kat i ndërtuar pa leje mbi një hotel.
Në fushën e krimit ndërkombëtar, autoritetet amerikane kanë arrestuar pas 30 vitesh në arrati Sokol Hoxhën, të dënuar për vrasje në Shqipëri dhe Belgjikë, ndërsa në Spanjë është çmontuar një plantacion kanabisi ku u arrestuan edhe shtetas shqiptarë.
Në Korçë, një kirurg i arrestuar për ngacmim seksual ndodhet në spital për probleme shëndetësore, ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë.
Lini një Përgjigje