TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Maj 2026, 14:30

Banorët sërish protestë në Bashkinë e Durrësit: Projekti i parregullt, nuk jemi për prishje aty ku s'ka nevojë

Shkruar nga Pamfleti
Banorët sërish protestë në Bashkinë e Durrësit:
Banorët sërish protestë në Bashkinë e Durrësit

Banorët e prekur nga projekti TID janë mbledhur edhe këtë të mërkurë përpara Bashkisë së Durrësit, duke kërkuar më shumë transparencë lidhur me projektin dhe procedurat që po ndiqen.

Ndryshe nga protesta e një dite më parë, këtë herë një përfaqësi e banorëve zhvilloi një takim me drejtoreshën ligjore të bashkisë, Alneida Rroshi.

Pas takimit, përfaqësuesja e banorëve, arkitektja Entela Koja, deklaroi se bashkia i ka informuar se po kryhet një rivlerësim i plotë i objekteve dhe po verifikohet statusi ligjor i tyre, përpara miratimit të VKM-së për shpronësimet.

“Kryesorja është që Ministria e Kulturës të sjellë një grup pune për të evidentuar të gjitha pronat. Ne nuk jemi për prishje e shpronësim aty ku nuk ka nevojë të prishet gjë”, tha Entela Koja.

Sipas banorëve, rreth 20 familje pranë zonës së amfiteatrit kundërshtojnë ndërhyrjet e planifikuara, duke argumentuar se në fazën fillestare të projektit nuk është bërë një verifikim i plotë i pronave dhe objekteve që preken.

Ata shprehen gjithashtu se kanë paqartësi lidhur me ndryshimet e bëra në projekt dhe kërkojnë që i gjithë procesi të shoqërohet me dokumentacion zyrtar dhe afate konkrete.

“Ne kërkojmë te informohemi me shkrim për të gjitha procedurat. Nuk e pranojnë faktin që janë ndryshuar destinacionet komuniteteve fetare megjithëse ne kemi prononcime te tyre që e pranojnë”, tha Koja.

Projekti TID parashikon transformimin e qendrës historike të Durrësit, duke përfshirë zonën e amfiteatrit dhe bulevardin “Epidamn”. Ky projekt ka sjellë reagime dhe kundërshtime nga banorët, pasi parashikon prishjen e dhjetëra banesave dhe bizneseve.

Sipas të dhënave, rreth 74 familje preken nga procesi i shpronësimit, ndërsa fondi i parashikuar për kompensimin arrin në rreth 315 milionë lekë.

Lini një Përgjigje