Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Në Hungari flasin për faliment/ Rama përgatit qokën e radhës për Gellért Jászai-n e “One Albania”
Kryeministri Edi Rama është vënë në lëvizje për të shpëtuar miqtë e Viktor Orbanit.
Ndërsa në Hungari po rritet presioni politik ndaj rrjetit ekonomik të ndërtuar gjatë viteve të pushtetit të Orbanit, kryeministri i ri, Peter Magyar ka paralajmëruar hetime dhe prerje të financimeve për kompanitë që kanë përfituar nga lidhjet me shtetin.
Një ndër emrat më të ekspozuar është Gellért Jászai, aksioneri kryesor i kompanisë 4iG, që në Shqipëri zotëron “One Albania”.
Magyar ka paralajmëruar anulimin e kontratave shtetërore të përfituara nga 4iG dhe vendosjen e kompanisë nën hetim. Disa media hungareze shkruajnë se heqja e mbështetjes politike dhe financiare mund ta çojë kompaninë drejt krizës, për shkak të nivelit të lartë të borxhit të krijuar nga ekspansioni agresiv.
Brenda tetë viteve, 4iG kaloi nga një kompani me vlerë rreth 20 milionë dollarë në një grup që sot vlerësohet mbi 3.5 miliardë dollarë.
Ilir Meta reagon nga burgu/ 'Diella’ nuk i mbulon dot të vërtetat që i di e gjithë bota!
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka hedhur akuza ndaj qeverisë për korrupsion dhe lidhje me atë që ai e cilësoi si “narkoekonomi”. Meta shkruan nga burgu se “Diella” nuk mund të fshehë, sipas tij, realitetin që përjetojnë qytetarët shqiptarë çdo ditë.
“‘Diella’ nuk i mbulon dot të vërtetat që i di e gjithë bota, por dhe që i vuajnë çdo ditë e më shumë shqiptarët”, shprehet ai.
Meta lidhi zhvlerësimin e euros dhe dollarit me ndikimin e parave të drogës në ekonomi, duke e cilësuar situatën si tregues të ekzistencës së një “Narkoshteti”.
Sipas tij, edhe raporti i Transparency International për korrupsionin dëshmon problematikat që, sipas kreut të PL-së, vijnë nga ndërthurja e korrupsionit me pushtetin politik.
"Diella nuk i mbulon dot të vërtetat që i di e gjithë bota, por dhe që i vuajnë çdo ditë e më shumë shqiptarët.Shikoni tatëpjetën e pandalshme të zhvlerësimit të euros dhe dollarit me lekun, për të kuptuar se narkoekonomia është vetë Narkoshteti.
Por mjafton të shihni edhe dishezën me 11 vende për korrupsionin në raportin e Transparency International për të kuptuar se kur paratë e drogës dhe korrupsionit shkrihen në një, siç është shkrirë partia në pushtet me shtetin, pasojat janë katastrofike për qytetarët. Këta jo vetëm kërcënojnë gazetarët vendas por duan t’u mbyllin gojën edhe atyre të huaj, si gazetarit investigativ italian, Nello Trocchia, të cilit i shpreh solidaritetin tim të plotë."-shkruan Meta në Facebook.
"Pse Rama nuk flet për Arubën?"/ Rrëfehet gazetari italian që u mor në mbrojtje
Gazetari i njohur investigativ italian i ‘Domani’, Nello Trocchia, ka rrëfyer detaje mbi kërcënimet që çuan në vendosjen e tij nën mbrojtje të rreptë nga autoritetet italiane.
Gazetari konfirmoi gjithashtu se mesazhe shqetësuese i kanë ardhur edhe nga nipi i një narkotrafikanti italian, i lidhur ngushtë me grupet kriminale shqiptare që operojnë në kryeqytetin italian.
Një nga pikat më të nxehta të bisedës ishte informacioni i Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) italiane për një takim të ndodhur në ishullin Aruba në vitin 2019, midis një karteli kriminal dhe përfaqësuesve të qeverisë shqiptare.
Trocchia sqaroi te “Syri TV’ se përpara se të publikonte këtë lajm në librin e tij, kishte tentuar disa herë të merrte një version zyrtar nga kryeministri shqiptar, por kishte hasur në heshtje totale.
Gafa e Ferit Hoxhës/ Reagon Giorgia Meloni
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka reaguar për gafën e ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha në mediat ndërkombëtare për një ndërprerje të mundshme të marrëveshjes së emigrantëve me Italinë në vitin 2030.
Deklarata u bë virale në disa media ndërkombëtare dhe u komentua gjerësisht pas një interviste të Ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha për Euroactiv.
Më pas ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama duke thënë se protokolli mes dy vendeve mbetet në fuqi dhe nuk ka asnjë pasiguri politike për vazhdimësinë e tij.
Rama tha më tej se është një citim mashtrues i raportuar nga një media pas intervistës me ministrin Hoxha. Por në fakt duket si një gafë e ministrit Ferit Hoxha, pas asaj që ai bëri në grupin në WhatsApp kundër shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Për të gjithë gazetarët nga Italia dhe më gjerë, që po më kontaktojnë për një citim të keqinterpretuar nga një media pas intervistës së ministrit të Jashtëm shqiptar: dua të ritheksoj qartë dhe njëherë e përgjithmonë se protokolli ynë me Italinë do të qëndrojë në fuqi për sa kohë që Italia dëshiron”, është shprehur Rama.
Më pas ka ardhur edhe reagimi i kryeministres italiane, Giorgia Meloni, e cila ka shpërndarë postimin e Kryeministrit Edi Rama, të cilin e ka shoqëruar me statusin: Grazie Edi. (Faleminderit Edi)
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje