TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Maj 2026, 11:45

SPAK kërkon pushimin e çështjes për Jonaid Myzyrin, GJKKO vendos më 25 maj

Shkruar nga Pamfleti
SPAK kërkon pushimin e çështjes për Jonaid Myzyrin, GJKKO
Jonaid Myzyri

Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua këtë të mërkurë seanca ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, për të cilin SPAK kërkoi pushimin e çështjes lidhur me akuzën për shkelje të barazisë në tendera.

Prokurori Elvin Gokaj deklaroi se hetimet kanw përfunduar dhe nga veprimet e kryera nuk rezultoi provë që implikon Myzyrin apo personat e tjerë nën hetim në kryerjen e një vepre penale. Në kërkesën për pushim përfshihen edhe Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkelejda Bega.

Mbrojtja argumentoi se anëtarët e KPP-së nuk marrin pjesë në procedurat e tenderimit, por shqyrtojnë vetëm ankesat administrative që lidhen me to. Pas dëgjimit të palëve, gjyqtari Paulin Çera njoftoi se vendimi do të shpallet më 25 maj në orën 10:30.

Çështja lidhet me një tender të vitit 2020 me vlerë rreth 2.2 milionë euro për mirëmbajtjen e disa segmenteve rrugore, mes tyre aksi Rrëshen-Ura e Fanit-Shpal dhe segmentet Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit. Procedura ishte zhvilluar nga ARRSH më 18 shtator 2020.

Sipas SPAK, gjatë këtij procesi janë konstatuar shkelje ligjore që, sipas akuzës, nuk u morën në konsideratë nga KPP-ja e drejtuar në atë kohë nga Myzyri. Prokuroria pretendonte se komisioni kishte favorizuar bashkimin e operatorëve “AEK MUNELLA” dhe “DRINI-1”, të cilët fituan tenderin me dokumentacion të pavlefshëm.

Në tetor të vitit 2025, GJKKO vendosi t’i heqë Myzyrit masën e pezullimit nga detyra, duke lënë në fuqi vetëm masën “detyrim paraqitje”. 

jonaid myzyri spak gjkko

Lini një Përgjigje