Nuk kanë fund skandalet e kompanisë “2T” të Artan dhe Gramos Sakos. Kompania e ndërtimit 2T shpk, ishte disa ditë më parë objekt kontrollesh të befasishme nga BKH-ja, në kuadër të hetimit të aferave korruptive me veprat publike, kryesisht rrugët.
Ndërkohë mësohet se sot, gjatë një ndërhyrje në nëntokë për shtrimin e tubacioneve të Ujësjellësit, “2T”, ka lënë pa energji elektrike të gjithë shëtitoren e Lungomares.
Gjatë punimeve të kryera në hyrje të shëtitores, një kabllo elektrike është këputur, duke shkaktuar ndërprerjen e energjisë në të gjithë zonën. Si pasojë, dhjetëra biznese janë detyruar të ndërpresin aktivitetin, ndërsa familjet që jetojnë në zonë kanë mbetur pa energji elektrike.
Në vitin 2013, kur PS-ja erdhi në pushtet, 2T ishte një kompani modeste dhe pothuajse e panjohur. Gjatë pushtetit socialist, për shkak të lidhjeve politike dhe funksioneve publike të vëllai të Artan Sakos, Gramos Sako, kompania jo vetëm ka dhjetëfishuar xhiron vjetore, por u shndërrua në firmat kryesore përfituese të parave publike.
Gramos Sako, i cili besohet se është pronari real i 2T shpk, ka qëndruar 11 vite në krye të Gardës së Republikës, ndërsa në nëntor të vitit 2025 është zgjedhur kryetar i Bashkisë së Beratit. Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, kompania e 2T ka përfituar e vetme mbi 110 milionë euro para publike, përmes tenderave klientelistë, me dokumente false, hije të forta korrupsioni dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave.
Një pjesë e parave publike të përfituara nga kompania 2T shpk e Artan Sakos përfundojnë në xhepat e kryebashkiakut Gramos Sako përmes kontratave fiktive, transaksioneve të dyshimta dhe pagave arbitrare për famijarët e tij. Në deklarimin e pasurisë në ILDKPKI, Gramos Sako, në një rast, ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka marrë një hua me vlerë 63 mijë euro tek vëllai i tij, Artan Sako, për t’i investuar në klinikën e saj dentare.
Lini një Përgjigje