
Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore nga vendi, rajoni e bota deri në këtë orë, ku ndër të tjera veçojmë:
Sot në Kuvend, seanca plenare ndezi debat të fortë mes mazhorancës dhe opozitës për Reformën Territoriale.
Partia Socialiste nuk pranoi të heqë nga rendi i ditës propozimin për zhbërjen e formulës së barazisë dhe marrjen e drejtimit të komisionit, duke i lënë PD-së afat deri në darkë për vendimin.
Kryedemokrati Sali Berisha i akuzoi socialistët për lidhje me krimin e organizuar, duke e cilësuar qeverinë “e keqja radikale” dhe aktin si një grusht shteti që kthen Kuvendin në mburojë të fondeve publike.
Debate të tjera ndezën përplasjet mes Taulant Ballës dhe Agron Shehajt, ku Balla i bëri ironi Shehajt për mënyrën e hyrjes në politikë dhe përdorimin e imunitetit parlamentar, ndërsa opozitari u përgjigj duke folur për “lekë gjaku”.
Ndërkohë, opozita zhvilloi një takim me drejtuesit e IRI dhe NDI, ku u diskutuan lufta kundër korrupsionit, zgjedhjet e lira dhe standardet e qeverisjes demokratike.
Gazment Bardhi e konsideroi partneritetin me SHBA-të jetik për Shqipërinë.
Në drejtësi, Gjykata Kushtetuese shtyu vendimin për ankesën e Kryeministrit Rama lidhur me imunitetin e ministres Belinda Balluku, ndërsa Apeli i Posaçëm shtyu për në datën 5 vendimin për çështjen e AKSHI-së, ku SPAK prezantoi prova të reja dhe kërkoi mbajtjen e masave të sigurisë.
Në shëndetësi, deputeti socialist Erion Braçe kritikoi ndryshimet e çmimeve të barnave të rimbursueshme, duke theksuar se çdo ndërhyrje e pa njoftuar mund të rrezikojë qasjen e shtresave në nevojë tek medikamentet esenciale, si insulina dhe barnat onkologjike.
Një tjetër problem shoqëror është shpopullimi dhe rritja e të huajve që jetojnë në Shqipëri, ndërsa politikat sociale për studentët, si Karta e Studentit, nuk po adresojnë realisht nevojat e tyre.
Banorët e Luzit dhe Maliqit protestojnë për rrugët e këqija dhe mungesën e ujit të pijshëm.
Ndërkombëtarisht, Rusia nisi sulmin më të fuqishëm ndaj energjisë ukrainase, duke goditur mbi 70 raketa dhe 450 dronë mbi Kiev dhe Kharkiv.
Temperaturat e ulëta lanë mijëra pallate pa ngrohje, ndërsa Zelensky bëri thirrje për mbështetje maksimale nga aleatët.
Në SHBA, publikimi i 3 milionë dosjeve të Jeffrey Epstein shkaktoi kritika për vonesën dhe fshehjen e miliona dokumenteve të tjera.
Avokatët dhe demokratët kërkojnë zbulim të plotë, ndërsa Departamenti i Drejtësisë thotë se ka përmbushur detyrimet ligjore.
Nga Irani, një zjarr masiv përfshiu një pjesë të pazarit në Teheran, në një kohë tensioni të lartë me SHBA-në dhe protestash masive kundër regjimit.
Ndërsa në Francë, zyrat e platformës X të Elon Musk po bastisen nga prokuroria e Parisit dhe Europol, në kuadër të hetimeve mbi algoritmin dhe përmbajtjen e rekomanduar në rrjet, pas raportimeve për deepfakes dhe materiale mohuese të Holokaustit.
Lini një Përgjigje