TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Shkurt 2026, 13:55

"Konflikti Ndoka-Nikulaj po prodhon viktima", Artan Hoxha: Mosveprimi hap rrugën për përplasje tjetër në Lezhë

Shkruar nga Pamfleti
"Konflikti Ndoka-Nikulaj po prodhon viktima", Artan Hoxha: Mosveprimi
Gazetari Artan Hoxha

Një konflikt i nisur një vit më parë në Shëngjin mes të rinjve të familjeve Ndoka dhe Nikulaj dyshohet se çoi te atentati i tre ditëve më parë në Lezhë, ku u plagos gabimisht Sokol Daci.

Gazetari Artan Hoxha, në emisionin “Shqipëria Live”, shpjegoi dinamikën e përplasjes mes dy familjeve të njohura në Lezhë dhe deklaroi se ngjarja mund të ishte parandaluar.

Hoxha tha se të dyja familjet kanë peshë shoqërore, politike dhe ekonomike në zonë. Sipas tij, të dyja zotërojnë hotele në zonën e plazhit dhe kanë pasur përplasje edhe në politikë. Ai shtoi se familja Nikulaj krijoi një forcë politike dhe u përfshi në aleanca, ndërsa familja Ndoka ka pasur përfaqësim të fortë në pushtetin vendor dhe në Kuvend. Vëllai i madh i familjes Ndoka ka drejtuar këshillin bashkiak, ndërsa një tjetër është bërë deputet.

Sipas Hoxhës, atentati ndaj Ardian Nikulajt ndryshoi balancat, pasi familja humbi figurën kryesore. Ai deklaroi se, nëse Nikulaj do të ishte gjallë, do të kishte tentuar komunikim me palën tjetër për të shmangur përshkallëzimin.

Ai përmendi edhe rolin e një punonjësi policie, duke thënë se reagimi i tij shmangu pasoja më të rënda, megjithëse, sipas tij, thelbi do të ishte parandalimi përmes hetimit të plotë të ngjarjes së parë.

“Të dyja familjet janë me ndikim shoqëror, politik, ekonomik. Të dyja familjet kanë hotele në zonën e plazhit. Kanë pasur beteja politike. Nikulajt formuan vetë një forcë politike, u përfshinë në aleanca të tjera. Ndokajt janë një familje e fuqishme, kreu i këshillit bashkiak ka qenë vëllai i madh, që nuk jeton më. Vëllai tjetër u bë deputet.

Pra kemi të bëjmë me dy familje të fuqishme në zonë. Me atentatin që iu bë Ardian Nikulajt, humbën njeriun në krye. Nëse do të ishte gjallë, kjo situatë nuk do të kishte ndodhur, sepse do të kishte kërkuar ta fliste me palën tjetër. Të dyja palët kanë armiq realë të tjerë. Ndokajt kanë kundërshtarë, kanë dhe shtetin. Nuk do donin drejtuesit t’i shtonin vetes një konflikt që nuk i dihet fundi.

Ai polici… nuk i di motivet, por reagimi i tij ka shmangur pasojat. Roli nuk është zbardhja e ngjarjes, roli do të ishte parandalimi, pra hetimi i ngjarjes së parë në mënyrë shteruese. Kjo ngjarje e dytë, me mosarrestimin e personave të tjerë, të paralajmëron që do të ketë një ngjarje të tretë. Kjo do të kishte pasoja të jashtëzakonshme. A e mendon njeri se çfarë mund të ndodhë nëse ata përplasen në qendër të Lezhës?”, u shpreh Hoxha.

konflikti ndoka-nikulaj viktima artan hoxha

Lini një Përgjigje