TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Shkurt 2026, 11:53

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Lexues të Pamfleti, ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerave veçojmë:

Reforma Territoriale/ Në seancë diskutohet edhe propozimi "Mazniku"

Seanca plenare e ditës sotme parashikon 14 pika në rendin e ditës, ku njëra prej tyre pritet të sjellë debat politik.
Ndryshimet e propozuara nga shumica për Komisionin e Posaçëm të Reformës Administrativo Territoriale pritet të nxisin debat politik.

Partia Socialiste kërkon të ndryshojë formulën e përfaqësimit në komision. Socialistët propozojnë 17 anëtarë, 9 nga PS dhe 8 nga opozita, në vend të ndarjes së barabartë që zbatohet aktualisht.

PS kërkon edhe ndryshim në drejtim. Socialistët propozojnë një kryetar nga mazhoranca dhe një nënkryetar nga opozita, në vend të dy bashkëkryetarëve.

Socialistët argumentojnë se ndryshimet sigurojnë vazhdimësinë e punës, pas mungesave të opozitës në mbledhje. Mazhoranca deklaroi se nuk tërhiqet nga propozimi pas mbledhjes së fundit ku opozita mungoi.

Kuvendi pritet ta shqyrtojë dhe ta votojë kërkesën në këtë seancë.

Partia Demokratike deklaron se nuk mori pjesë për shkak të angazhimeve të tjera dhe jo për bojkot. Kryesia e PD vendosi një ditë më parë që deputetët të marrin pjesë në komisionet e posaçme të reformës territoriale dhe zgjedhore.

Demokratët ndryshuan qëndrim disa orë pasi socialistët njoftuan se do ta çojnë për miratim ndryshimin e përbërjes dhe drejtimit të komisionit. Arbjan Mazniku deklaroi se afatet lidhen me zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm dhe me procesin e negociatave.

“Çështja Balluku”/ Kushtetuesja drejt vendimmarrjes për ankesën e Ramës?

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese pritet të mblidhen në dhomë këshillimi ditën e sotme për të vendosur mbi ankesën e Kryeministrit Edi Rama ndaj vendimit të GJKKO-së, e cila pas kërkesës së SPAK vendosi pezullimin nga funksionet qeveritare të Belinda Ballukut.

Rama iu drejtua Kushtetueses për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

Në mbledhjen e 27 janarit, Kushtetuesja nuk arriti të dilte me një vendim, pasi disa nga anëtarët kërkuan më shumë kohë. Mungesa e një vendimi nga Kushtetuesja, shtyu pa afat edhe mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, ku po shqyrtohet një tjetër kërkesë e SPAK, ajo e vendosjes së një mase sigurie me arrest ndaj zv.Kryeministres, Belinda Balluku. SPAK e ka marrë të pandehur Ballukun për çështjen e tunelit të Llogarasë, por edhe për procedurat e tenderave që lidhen me lotet e Unazës së Madhe të Tiranës.

Rruga në gjendje të mjerueshme/ Banorët e Luzit sërish në protestë, marrin edhe fëmijët

Banorët e fshatit Luz në Fushë Krujë kanë dalë sërish në protestë për herë të tretë për gjendjen e keqe të rrugës së fshatit.  Mëngjesin e sotëm protestës iu bashkuan edhe nxënësit e shkollës “Gjon Luka”. Fëmijët deklarojnë se ndoten çdo ditë gjatë rrugës për në shkollë dhe se ndihen të rrezikuar kur kamionët, për të shmangur gropat, kalojnë mbi trotuar.

Banorët deklarojnë se institucionet nuk u kanë dhënë përgjigje, ndërsa paralajmërojnë vijimin e protestave deri në marrjen e një reagimi. Pasditen e djeshme në rrugë është hedhur në kamion me çakull për të mbyllur gropat e mëdha, por banorët thonë se kjo nuk është zgjidhje. Ata kërkojnë rikonstruksionin e plotë të rrugës, e cila është një arterie kryesore dhe ku kalojnë shumë kamionë në ditë.

Banorët e bllokuan sot rrugën për mbi një orë, ndërsa deklarojnë se do të vijojnë me protestat, madje do t’i përshkallëzojnë nëse nuk ndërhyhet seriozisht në rikonstruksionin e saj.

Po nëse hapet ‘Epsteini’ shqiptar?

Nga skandalet globale te materialet filmike të sekuestruara nga SPAK, thelbi është por kontrolli i vendimmarrjes
E gjithë bota është tronditur nga publikimi i fotove, videove dhe e-maileve të dosjes Epstein, ku personazhe të rëndësishme të globit shfaqen në momente relaksi në mjediset e ashtuquajturit “ishulli i mëkatit”.
Megjithatë, për t’u kthyer te thelbi që dosja Epstein i dha arenës globale, vlen të shtrohet një pyetje: çfarë do të ndodhte nëse hapej një “dosje Epstein” shqiptare?

Një dosje që nuk ka të bëjë thjesht me faktin që politikanë dhe VIP-a shqiptarë argëtohen me vajza të reja në ambiente orgjiake të kohëve moderne. Kjo dihet dhe për këtë ka plot legjenda urbane dhe anekdota.
Thelbi i dosjes Epstein nuk është mëkati i personazheve, por filmimi i gjithë kësaj veprimtarie, me qëllim përdorimin e saj për shantazh. Që do të thotë se, pasi u ka dalë pija apo lënda, dinjitarët kanë marrë vendime dhe kanë firmosur urdhra në funksion të interesave të shantazhuesve.

Duke u kthyer te mjedisi shqiptar, dosja e njohur e SPAK për AKSHI-n ka në qendër të saj një konglomerat materialesh filmike, të regjistruara dhe të ruajtura në një apartament në Tiranën e Re, me vullnetin e atij që njihej si koordinatori i baronëve të krimit në Shqipëri, alias “Gysi i Durrësit”.

Ky person ka filmuar jo vetëm biseda dhe diskutime në studion e tij, por edhe momente relaksi nën shoqërinë e verërave shumë të shtrenjta dhe elementëve të tjerë, në situata që shkojnë përtej relaksit, deri në shthurje të plotë.

Për “Epsteinin shqiptar”, e gjithë kjo është kryer prej kohësh dhe jo së fundmi. Dhe sipas gjasave, këto materiale janë përdorur si mjet shantazhi ndaj drejtuesve të lartë në vend, duke kushtëzuar vendimet e tyre.

E përkthyer në realitetin shqiptar, kjo do të thotë marrje tenderësh dhe administrim i milionave të shtetit nga kupola kriminale.

Për më shumë, ndiqni edicionin e orës 12.00

edicioni informativ pamfleti

Lini një Përgjigje