Banorët e fshatit Luz në Fushë Krujë kanë dalë sërish në protestë për herë të tretë për gjendjen e keqe të rrugës së fshatit.
Mëngjesin e sotëm protestës iu bashkuan edhe nxënësit e shkollës “Gjon Luka”. Fëmijët deklarojnë se ndoten çdo ditë gjatë rrugës për në shkollë dhe se ndihen të rrezikuar kur kamionët, për të shmangur gropat, kalojnë mbi trotuar.
Banorët deklarojnë se institucionet nuk u kanë dhënë përgjigje, ndërsa paralajmërojnë vijimin e protestave deri në marrjen e një reagimi.
“Hera e tretë që dalim nuk na kanë sjellë asnjë përgjigje. Sot kemi marrë edhe fëmijët, i kanë këpucët krejt baltë, kanë protestuar e fëmijët pa i çuar në shkollë sot ne presim përgjigje nga shteti.
E treta herë që po dalim në protestë dhe asnjë reagim nga shteti. Kemi dalë me gjithë kalamaj. Do të dalim derisa të kemi një përgjigje.
Është me të ardhur keq për gjendjen në të cilën ndodhet rruga. Gjynah për këta fëmijë që vijnë këtu, reshjet kanë qenë të shumta dhe ka pasur baltë.
Nuk bën ky çakull, ta shtrojnë me asfalt dhe tamam. Nuk do të hapet rruga derisa të marrin masa. Kanë filluar banorët duke vënë gurë në trotuar se vijnë kamionat dhe hipin në trotuar.”, thanë disa nga banorët.
I pranishëm krah banorëve është gjithashtu edhe ish kandidati i PD për deputet, Aulon Kalaja. Kalaja thotë se krahas rrugës, autoritetet duhet që të ndërtojnë edhe një mbikalim për shkak të prezencës së fëmijëve që duhet të kalojnë çdo ditë për të shkuar në shkollë.
“Duam t’i bëjmë thirrje qeverisë që të reagojë. Nuk është zgjidhje çakulli, do asfalt dhe të standarteve evropiane që të mbajë kamionët e tonazhit të rëndë. Edhe fëmijët e tyre kanë zgjedhur të protestojnë me baballararët. E drejta e tyre për të kërkuar rrugën se këpucët e tyre janë me baltë. Shikojmë se çfarë ndodh edhe për mungesën e një mbikalimi. Detyrohen prindërit që t’i marrin e t’i çojnë deri te dera e shkollës. E para është rruga dhe e dyta mbikalimi.”, u shpreh Kalaja.
Pasditen e djeshme në rrugë është hedhur në kamion me çakull për të mbyllur gropat e mëdha, por banorët thonë se kjo nuk është zgjidhje. Ata kërkojnë rikonstruksionin e plotë të rrugës, e cila është një arterie kryesore dhe ku kalojnë shumë kamionë në ditë.
Banorët e bllokuan sot rrugën për mbi një orë, ndërsa deklarojnë se do të vijojnë me protestat, madje do t’i përshkallëzojnë nëse nuk ndërhyhet seriozisht në rikonstruksionin e saj.
Lini një Përgjigje