Policia Rrugore e Elbasanit njoftoi se nga data 3 shkurt 2026 deri më 5 shkurt 2026 do të bllokojë përkohësisht qarkullimin në aksin Librazhd-Prrenjas, në zonën e fshatit Dragostunjë.
Autoritetet marrin këtë masë për shkak të punimeve që po kryhen në këtë segment problematik.
Sipas njoftimit zyrtar, bllokimi do të zbatohet çdo natë në intervalin 22:00-05:00. Gjatë këtyre orareve, rruga nuk do të jetë e kalueshme për asnjë automjet, me theks të veçantë për mjetet e tonazhit të rëndë. Policia konfirmoi se ka informuar edhe pikat e kalimit kufitar, me qëllim njoftimin paraprak të drejtuesve të mjeteve që përdorin këtë aks.
Gjatë orarit të ndalimit, Policia do të lejojë vetëm qarkullimin e autoambulancave, mjeteve zjarrfikëse dhe atyre të Policisë. Për mjetet e vogla, autoritetet sugjerojnë si rrugë alternative aksin Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Ky segment rrugor u përfshi dy ditë më parë nga një shembje masive gurësh dhe dherash, e cila bllokoi qarkullimin për disa orë dhe riktheu në vëmendje rrezikun e përsëritur në zonën e Dragostunjës, sidomos gjatë kushteve të paqëndrueshme atmosferike.
Lini një Përgjigje