Ndërsa Artan Sako hetohet për tenderë dhe fatura false, vëllai i tij Gramoz Sako shpërblehet me bashkinë e Tepelenës dhe vijon pazaret me fondet publike...
Dy vëllezërit Gramoz dhe Artan Sako përfaqësojnë një model tipik të mbijetesës dhe prosperitetit përmes pushtetit politik. Artan Sako është thirrur në SPAK për afera korrupsioni dhe falsifikime në tenderë, përfshirë lidhjet me PPP-në e Sterilizimit, por vijon të përfitojë kontrata publike. Paralelisht, Gramoz Sako, pas një karriere të gjatë në krye të Gardës së Republikës, u katapultua nga Edi Rama si Kryetar i Bashkisë Tepelenë, pa u përballur me drejtësinë. Kompanitë e vëllezërve Sako kanë marrë rreth 157 milionë euro tenderë, koncesione HEC-esh, mbetjesh, tokë shtetërore për parqe fotovoltaike dhe leje ndërtimi, duke krijuar një rrjet biznesesh që shtrihet nga energjia te ndërtimi dhe turizmi. Rasti ngre dyshime serioze për konflikt interesi, shpërdorim fondesh publike dhe mbrojtje politike, duke kërkuar hetim të thelluar penal dhe administrativ.
Po e fillojmë me dy fakte konkrete:
– Më 14 tetor 2024, ndërtuesi Artan Sako u thirr në SPAK për të dhënë sqarime lidhur me afera korrupsioni dhe falsifikime në shumë tenderë. Ai është nën hetim edhe për fatura tatimore fiktive, të lëshuara firmës koncesionare “Sani Service” të Sterilizimit të Pajisjeve Kirurgjikale.
– Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 majit 2025, kryeministri Edi Rama e katapultoi si kandidat për Kryetar të Bashkisë Tepelenë ish-Drejtorin e Gardës së Republikës, Gramoz Sako, vëllain e ndërtuesit Artan Sako.
Por ndërtuesi Artan Sako vazhdon të marrë tenderë dhe nuk po çohet para drejtësisë, megjithëse për të ka prova për vepra penale që lidhen me tenderët dhe faturat false të lëshuara për firmën e PPP-Sterilizimit.
Ndërsa vëllai i tij, Gramoz Sako, pas 11 vitesh korrupsion dhe abuzimesh të tjera në krye të Gardës së Republikës, në vend që të përballej me drejtësinë, që prej muajit maj 2025 është Kryetar i Bashkisë Tepelenë, ku vijon të bëjë pazare me tenderët dhe pasuritë e kësaj bashkie.
Për dy vëllezërit, Gramoz dhe Artan Sako, mbarësia në karrierë dhe ajo financiare filloi pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet, si shpërblim për ndërtimin falas të pallatit të Linda Ramës në Tiranë, dhe vazhdon ende përmes kompanive të tyre, kryesisht kompanisë “2T” sh.p.k.
Sipas regjistrit të Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe Thesarit të Shtetit, kompania “2T” sh.p.k. e vëllezërve Gramoz dhe Artan Sako, gjatë 12 viteve pushtet të Edi Ramës, ka marrë rreth 157 milionë euro tenderë, gjysma e tyre pa garë, me dokumente false dhe me vlera kontratash 95–100 për qind të fondit limit, për të cilat kompania është nën hetim nga SPAK.
Përveç kësaj vlere, kompania e vëllezërve Sako ka marrë edhe koncesionin për katër HEC-e private në lumin Zall Okshtun të Bulqizës, me afat kontrate prodhimi dhe shitjeje energjie për 35 vite.
Kompania e tyre ka marrë pa garë edhe koncesionin e mbetjeve të Kamzës, me vlerë kontrate 16.2 milionë euro për 12 vite, si dhe të drejtën për të shitur mbetjet e riciklueshme për llogari të saj.
Më 18 tetor 2023, Edi Rama u dha vëllezërve Gramoz dhe Artan Sako koncesionin për ndërtimin e centralit të energjisë fotovoltaike në zonën Grykë të Fierit, duke u dhuruar 30 hektarë tokë shtetërore.
Më 13 qershor 2022, ata krijuan kompaninë e përbashkët ndërtuese “Rawafed Al-Torok Shqipëri” sh.p.k., në ortakëri me shtetasin Abdulaziz Alarifi nga Arabia Saudite.
Kjo kompani, prej tre vitesh, nuk ka aktivitet tatimor, por është skeduar nga agjencitë shqiptare për pastrim parash dhe transferta financiare nga dhe drejt Shqipërisë, të cilat vëllezërit Sako i kanë investuar në kulla, pallate dhe resorte, ose i kanë dhënë me fajde ndërtuesve të tjerë.
Gramoz dhe Artan Sako kanë gjithashtu pronësi në kompaninë “Kadria” sh.p.k., me aktivitet ndërtimi, import-eksport mallrash, transport udhëtarësh dhe turizëm.
Në kompaninë “Dion Energji”, me aktivitet ndërtimi dhe turizëm, ata zotërojnë 50 për qind të aksioneve në ortakëri me Amantia Xhafaj dhe Ditjon Baboçi, vajza dhe dhëndri i Fatmir Xhafajt.
Në kompaninë “Euro Servise & Co 2021”, me aktivitet import dhe shitje makinash e mjeteve lundruese, si dhe import-eksport ushqimesh, Gramoz dhe Artan Sako kanë 25 për qind të aksioneve.
Me Vendim nr. 43 të Këshillit Kombëtar të Territorit, kompania “2T” sh.p.k. ka marrë leje për ndërtimin e një kompleksi banimi në Farkë, me ndërtesa 2–3 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Gramoz Sako, ish-Drejtor i Gardës dhe prej tetë muajsh Kryebashkiak i Tepelenës, i zotëron këto aksione në mënyrë të paligjshme, për shkak të konfliktit të interesit që lidhet me postet e mbajtura gjatë pushtetit të PS-së./Pamfleti
Lini një Përgjigje