
Një tjetër skandal, që lidhet me fshehjen dhe trafikimin e personave në kërkim nga SPAK, Prokuroria dhe Policia e Shtetit, është zbuluar ditët e fundit. Ai dyshohet se është kryer nga ekipet elektorale të partive politike, të cilat kanë zhvilluar takime me diasporën në disa shtete të Evropës...
Sipas informacionit të mbërritur në “Pamfleti”, në ekipet elektorale të PD-së dhe PS-së kanë qenë të përfshirë persona në kërkim e me precedentë penalë. Këta individë, duke shfrytëzuar statusin e “anëtarëve të ekipeve elektorale”, janë pajisur me të dhëna false dhe kanë dalë pa pengesa nga Shqipëria, për të hyrë më pas në shtetet ku organizoheshin takimet me diasporën.
SPAK ka marrë indicie se, përmes këtij mashtrimi, nga Shqipëria kanë dalë 8 persona në kërkim e me precedentë penalë, të akuzuar ose nën hetim për vepra të ndryshme penale dhe me dokumente të bllokuara në vend. Këta individë, sipas të dhënave paraprake, janë pranuar në ekipet elektorale të PD-së dhe PS-së në marrëveshje me drejtues e deputetë, të cilët kanë lidhje miqësore, familjare apo bëjnë pazare të pista me ta. Në këtë mënyrë, personave të kërkuar u është mundësuar udhëtimi drejt vendeve të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
SPAK, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit, ka nisur verifikimin e personave që janë larguar nga Shqipëria si pjesë e këtyre ekipeve elektorale. Pista e dytë e hetimit është fakti që këta persona nuk janë kthyer më në vend me të njëjtat ekipe. Ndërkohë, si pistë e tretë po hetohet lidhja e tyre me drejtuesit e PD-së dhe PS-së, si edhe me deputetë, ish-deputetë ose zyrtarë të këtyre partive.
Përmes sistemit “TIMS”, organet ligjzbatuese synojnë të zbulojnë se në cilat shtete kanë hyrë fillimisht këta individë dhe si kanë lëvizur në destinacionet e tjera, pas takimeve elektorale me diasporën. Ka dyshime se ky truk për trafikimin e personave në kërkim, me dokumente false, është përdorur në mënyrë të përsëritur nga parti politike, ministri, bashki dhe institucione të tjera shtetërore.
Rasti më flagrant është ai i Fatmir Mediut, i cili, sipas burimeve, ka mundësuar futjen në Itali të një shtetasi nga Berati, të dënuar me 10 vite burg për trafik droge. Ky shtetas, përmes dokumenteve false që e identifikonin si “zyrtar i parlamentit”, u përfshi në delegacionin e Kryesisë së Kuvendit që shkoi në Bruksel, duke shmangur kështu kontrollet ligjore. /Pamfleti
Lini një Përgjigje