TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Prill 2025, 13:12

SPAK kërkon shtyrjen me 3 muaj të hetimeve për ish-deputetin socialist, Jurgis Çyrbja

Shkruar nga Pamfleti

SPAK kërkon shtyrjen me 3 muaj të hetimeve për ish-deputetin

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar edhe tre muaj kohë për të vijuar hetimet ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, pasi ende pritet marrja e përgjigjeve për disa letërporosi të nisura drejt agjencive partnere jashtë vendit.

Kërkesa për shtyrjen e afateve u paraqit në seancën e mbajtur këtë të martë (15 prill), ndërsa avokatët e Çyrbjes kërkuan kohë për t’u njohur me materialet e Prokurorisë.

Seanca për një vendimmarrje përfundimtare u caktua për ditën e premte.

Çyrbja qëndron i paraburgosur që prej vjeshtës së vitit të kaluar, i dyshuar për komunikime të përgjuara në platformën e koduar të bisedave SKY ECC me anëtarë të grupeve kriminale Shijak-Durrës.

Ai u arrestua më 20 tetor 2024 në Durrës ndërsa GJKKO ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa deri më tani ka refuzuar çdo kërkesë për zbutjen e saj.

Lini një Përgjigje