
Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar situatën politike në vend, teksa e ka ndalur theksin tek vizita e presidentit të Turqisë, Rexhep Erdogan në Tiranë, paktin Rama-Meloni për emigrantët që do të vijnë në Gjadër dhe Shëngjin të Lezhës, si dhe vendimin e djeshëm të Brukselit për të çelur negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, avokat Ngjela theksoi se Erdogan ta harrojë se Shqipëria është pjesë e Perandorisë Osmane, duke ja bërë të qartë se ai nuk mund të bëjë çfarë dëshiron në vendin tonë. Po ashtu, ai ka një këshillë për kryeministrin Edi Rama mbi kërkesën e presidentit turk për të goditur gylenistët që ndodhen në Shqipëri dhe ndërkohë ka zbuluar çfarë fshihet pas paktit të emigrantëve me Italinë.
-Avokat Ngjela, konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – BE e mbledhur dje në Luksemburg, çeli negociatat për grup kapitullin e parë me Shqipërinë që përfshin disa fusha thelbësore, si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik, si dhe reforma e administratës publike. Si ju duket ky vendim dhe sa e mundur është që Shqipëria të plotësojë këto kushte që janë për kapitullin e parë, ndërkohë që janë edhe shumë kapituj të tjerë që vendi jonë duhet të përmbushë për t’u anëtarësia në Bashkimin Evropian?
Kjo që ndodhi është gjë pozitive. Do të shohim nëse do i plotësojë apo nuk do i plotësojë, do të shohim nëse do ta bëj mirë punën e vetë qeveria. Kjo e fundit e ka në dorë, pasi kushtet nuk na i ka vënë ne qytetarëve, por qeverisë. Ajo e ka në dorë, po nuk e bëri le të ikë si qeveri, por besoj se do ta bëj, pasi tani nuk janë kushte shumë të rënda, pasi jemi afër fundit të plotësimit të kërkesave.
-Si e shihni vizitën e presidentit turk, Rexhep Erdoganit në Shqipëri, duke pasur parasysh se ajo ka shkaktuar tensione mes grupeve myslimane, sidomos pas kthimit të Xhamisë së Namazgjasë në pronë të Turqisë?
Ishte një vizitë pozitive. Turqia është një shtet i zhvilluar. Marrëveshjet që bëri me Ramën, janë pozitive.
-Keni një koment juaj mbi deklaratat e Erdoganit për goditjen e kundërshtarëve të tij, siç është grupi FETO? A mendoni se kjo ka ndikim në situatën politike në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtarë, duke qenë se lideri i kësaj organizate, Fetullah Gylen, është një ish-imam turk, shkrimtar, predikues dhe kundërshtar i Erdogan, që aktualisht jeton në Ekzil në Pensilvani të SHBA?
Ka kohë që Erdogan e kërkon atë gjë. Qeveria shqiptare nuk u përgjigj dhe gylenizmin e godet. Erdogan ka prej kohësh që po godet grupin gylenist, pasi e ka kundërshtar. Nëse qeveria ia pranon, punë e qeverisë, pasi këto nuk janë çështje të njerëzve që nuk merren me politikën, por politikën e lartë gjithmonë e ndjek qeveria. Kjo e fundit nëse ja ka në interes e pranon, në të kundër nuk e pranon, flas në interesin e Shqipërisë që ajo e drejton.
-A mendoni se është e pranueshme që një lider i huaj të ketë një ndikim të tillë në çështjet e brendshme të Shqipërisë, sidomos kur flet si padron i vendit?
Nuk ka fol si padron Erdogan. Nuk e pyet kush Erdoganin në Shqipëri, pse Perandoria Osmane mendon se jemi ne? Ai bërë një vizitë, se ngritën një xhami. Nuk është normale për logjikën tonë të modernizmit, nuk merret shteti me fenë. Ai e ka bërë si një shtet mik. Por s’mund të shkojë kryeministri i një vendi me kryeministrin e një vendi tjetër të inaugurojnë një objekt fetar. Shteti shqiptar është laik.
-Si e shihni marrëveshjen mes Ramës dhe Melonit? A është normale që Shqipëri të kthehet në bazë ku strehohen emigrantët e huaj…
Nuk është bazë, por është ndihmë që qeveria shqiptare i jep Italisë dhe mos mendoni se Italia i ka dhënë pak ndihma Shqipërisë. Janë 600.000-700.000 shqiptar në Itali të cilët janë të gjithë të punësuar dhe dërgojnë para familjeve në Shqipëri. Ça e gjeti Shqipërinë se i dha pronën në Gjadër. Do të rijnë disa vite dhe do të ikin. Ato nuk janë pjesë integrale e popullit shqiptar por janë rezervate që i ka Italia për refugjatët e saj që vijnë nga Afrika dhe do i sistemojë derisa t’ju gjej mënyrën për t’u zgjidhur çështjen. Pse pak ndihma ka marrë Shqipëria nga Italia. /SOT
Lini një Përgjigje