Brukseli kërkon të bëhen ndryshime në ligj në mënyrë që të shkarkuarit nga vetingu të mos punojnë te Magjistratura....
Bashkimi Europian ka tronditur nga themelet Shkollën e Magjistraturës. Pak ditë më parë shpërtheu një skandal në këtë shkollë, pasi testi për gjyqtarët dhe prokurorët e rinj u manipulua. Por përveç kësaj, në Magjistraturë janë kamufluar dhe shumë gjyqtarë dhe prokurorë të ngelur në veting.
Ndonëse ata janë përjashtuar nga sistemi, janë pedagogë te Magjistratura dhe edukojnë brezin e ri. Por për ndërkombëtarët kjo është e papranueshme.
Në kuadër të negociatave që kanë nisur mes PS dhe PD për ligjet e reformës, është marrë mendimi i BE. Përveç shumë çështjeve, Brukseli kërkon të bëhen ndryshime në ligj në mënyrë që të shkarkuarit nga vetingu të mos punojnë te Magjistratura.
“Duhet të bëhen ndryshime legjislative për të përforcuar integritetin e stafit pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës, duke siguruar që ish magjistratët e shkarkuar nëpërmjet vettingut ose që dhanë dorëheqjen para tij, nuk do të trajnojnë brezat e ardhshëm të magjistratëve”, thuhet në opinionin BE drejtuar grupit të deputetëve që po merren me ndryshimin e ligjeve me 3/5.
BE nuk pranon propozimin e Parlamentit që problematikat me anëtarët e KLP të zgjidhen nga vetë institucioni, pa kaluar në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese. Konflikti i interesit citohet si arsye.
“Propozimet synojnë të kufizojnë kompetencën e Gjykatës Kushtetuese në sjelljet disiplinore të anëtarëve të Këshillit gjatë ushtrimit të funksionit të tyre si anëtar i Këshillit dhe jo kur veprojnë si gjyqtarë apo prokurorë. Është e diskutueshme nëse kjo është e këshillueshme, pasi – edhe pse anëtari përkatës i Këshillit mund të tërhiqet, kur kolegët e tij/saj janë duke vendosur për rastin e tij/saj, ka ende një marrëdhënie shumë të fortë mes anëtarëve, gjë që mund të shmanget nëse ja lë Gjykatës Kushtetuese të vendosë për raste të tilla”, thuhet në dokumentin e publikuar nga “A2 CNN”.
Po ashtu, ata janë ndalur dhe te propozimi i Altin Dumanit sa i takon mandatit të prokurorëve. Sipas tyre, në fund të mandatit ata duhet të kalojnë te Prokuroria e Apelit.
“Është e arsyeshme që prokurorët specialë në fund të mandatit të tyre të caktohen në Prokuroritë e Apelit, meqenëse ata mbulojnë të dyja nivelet, shkallën e parë dhe Apelin. Për këtë mjafton referimi në Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, thuhet më tej.
Lini një Përgjigje