TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Maj 2024, 17:23

Kushtetuesja e rrëzoi, qeveria nuk tërhiqet nga ligji për studentët e Mjekësisë; ul kufizimin nga 5 në 3 vite

Shkruar nga Pamfleti

Kushtetuesja e rrëzoi, qeveria nuk tërhiqet nga ligji për

Gjykata e rrëzoi pjesërisht ligjin duke i cilësuar të tepruar masat kufizuese...

Mazhoranca dhe qeveria vijojnë të ecin “dhëmb për dhëmbë” me Gjykatën Kushtetuese. Pasi refuzuan të zbatojnë vendimin e saj për mandatin e Olta Xhaçkës, qeveria ka vendosur ta sfidojë edhe sa i takon ligjit për studentët e Mjekësisë.

Gjykata e rrëzoi pjesërisht ligjin duke i cilësuar të tepruar masat kufizuese. Qeveria në ligj vendosi që studentët e Mjekësisë të vitit të parë t’u bllokohet diploma për 5 vite, të vitit të dytë 4, e me radhë. Por gjykata e pa të teprua dhe qeveri ka vendosur të ulë kufizimet në 3, 2 dhe 1 vit. Sot ka dalë për konsultim një draft i ri, me kufizime më të buta.

Në nenin 4, të bëhen ndryshimet si vijon: Në pikën 1, shkronja “b” fjalët “5 (pesë) vjet” të zëvendësohen me fjalët “3 (tre) vjet”. Në pikën 1, shkronja “c”, me fjalët “5-vjeçar” të zëvendësohen me fjalët “3-vjeçar”. Në pikën 2, shkronja “a”, fjalët “3 (tre) vjet” të zëvendësohen me fjalët “2 (dy) vjet”. Në pikën 2, shkronja “b”, fjalët “3-vjeçar” të zëvendësohen me “2-vjeçar”. Në pikën 3, shkronja “a”, fjalët “2 (dy) vjet” të zëvendësohen me fjalët “1 (një) vit”. Në pikën 3, shkronja “b”, fjalët “2-vjeçar” të zëvendësohen me fjalët “1-vjeçar””, thuhet në draft.

Po ashtu qeveria ka vendosur të ndryshojë metodikën e punësimit të studentëve. Teksa te ligji i vjetër linte një vit kohë që ata që mbaronin masterin të punësoheshin në spitalet e vendit, tani afati është ulur në 3 muaj.

Për studentin që përfundon programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë dhe ka nënshkruar marrëveshje sipas përcaktimeve të këtij ligji, në momentin e lindjes së të drejtës për punësimin e tij, ndiqen procedurat e mëposhtme: a) punësohet në institucionet shëndetësore sipas nevojave për mjekë të shpallura nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe përzgjedhja e vendeve të punës bëhet nga mjeku i licensuar, në bazë të renditjes sipas notës mesatare të përfundimit të studimeve; b) koha e kryerjes së procedurës për punësimin e mjekut nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, është brenda 3 (tre) muajve nga momenti i lindjes së të drejtës për punësim”, thuhet në ligj.

Më tej thuhet se në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 mujore në institucionet shëndetësore publike.

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje