
Policia e Fierit ka proceduar penalisht në gjendje të lirë avokatin 52-vjeçar, Pëllumb Isufaj.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. I., 52 vjeç, banues në Fier, me detyrë avokat, pasi më datë 25.04.2024, është shfaqur në një video të transmetuar në emisionin investigativ “Fiks Fare”, duke i kërkuar favore seksuale një shtetaseje. Pamjet filmike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftim.
Ka qenë një qytetare e divorcuar nga bashkëshorti ajo që ka denoncuar në emision avokatin, duke theksuar se ai e ka ngacmuar seksualisht. “Unë dyshoj që avokati që më përfaqëson mua, Pëllumb Isufaj, bashkëpunon me ish-burrin. Unë kam bërë gjyq divorci dhe ish bashkëshorti s’ka dhënë detyrimin ushqimor për fëmijët, s’kemi ndarë pasurinë. Për të gjitha këto çështjet mora avokat”, thotë denoncuesja.
Sipas saj, avokati Isufaj është nga Fieri dhe ia kanë rekomanduar për shkak se ky person ka punuar edhe në Zyrën e Përmbarimit. “Fillova të dyshoj për të kur ishte kapur një shumë në bankë dhe më kanë sorollatur që nga muaji tetor deri në dhjetor 2023 me mendimin që mua t’më mbaronte afati. E kam telefonuar shumë herë, më thoshte e ke 0 lekë. Unë e kisha pagur, 500 mijë lekë plus 200 paund. Madje donte lekët e drekave dhe darkave. Dhe përveç këtyre, donte edhe favore seksuale. Që t’më mbronte në gjykatë. Kështu mendova dhe kështu doli”, pohon denoncuesja.
Lini një Përgjigje