TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Maj 2024, 10:06

Pjesë e grupit kriminal të Gëzim Çelës, arrestohen me urdhër të SPAK 3 trafikantët e drogës; zbardhen emrat

Shkruar nga Pamfleti

Pjesë e grupit kriminal të Gëzim Çelës, arrestohen me

Tre persona kanë rënë në prangat e policisë me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit “Flakë në Det”.

Operacioni i ndërmarrë vitin e kaluar çoi në pranga dhe një Komisar të Kurbinit, Dritan Metaj, që dyshohej se shoqëronte të njohurin si baronin e drogës, Gëzim Çela, dhe anëtarë të tjerë të grupit të drogës. 

Në pranga kanë rënë personat e identifikuar Alket Deda, Ksenofon Bodo dhe Selami Lushkaj.

"Në vijim të veprimeve proceduriale, në lidhje me procedimin penal nr. 185, të vitit 2023, në kuadër të të cilit, është zhvilluar operacioni policor i datës 15.08.2023, i emërtuar “Flakë në det”, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 46, datë 29.04.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për caktimin e masës së sigurimit për personat nën hetim A. D., S. L. dhe K. B., si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Masat e sigurimit ndaj personave nën hetim A.D. S.L. dhe K.B., janë ekzekutuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 30.04.2024. Gjatë ekzekutimit të vendimit për caktimin e masave të sigurimit, është ushtruar kontroll në disa banesa dhe subjekte tregëtare", thuhet në njoftim.

Kush është Gëzim Çela?

Gëzim Çela sot është 55 vjeç, por emri i tij ka nisur të regjistrohet në skedat e Policisë që kur ishte 22 vjeç dhe u dënua për herë të parë nga Gjykata e Triestes në Itali për shfrytëzim prostitucioni. Për vite me radhë ai është akuzuar e dënuar disa herë në mungesë, në Itali dhe në Shqipëri, por edhe kur është arrestuar nuk ka qëndruar gjatë në burg. Ia ka dalë me raporte mjekësore false, duke shpikur sëmundje që nuk i kishte.

Gëzim Çela është baba i 4 fëmijëve dhe me letra rezulton i divorcuar. Argument që është përdorur në gjykatë nga avokati i tij, për t’i lehtësuar akuzuat, lidhur me objektet që u sekuestruan në apartamentin e bashkëshortes së tij në “Don Bosko”, në Tiranë.

Ai është banor i fshatit Fushë-Kuqe, të Kurbinit, ku janë kryer herë pas here kontrolle nga Policia. Djali i xhaxhait të tij, Nerim Çela u arrestua gjatë operacionit “Flakë në det”, kur trafikantët i vunë flakën velierës që dyshohej se do të trafikonte drogë. Gëzim Çela ka lidhje familjare edhe me “mbretin e lojërave të fatit”, Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej më shumë se një viti. Konkretisht, kushëriri i Çelës, Nerim Çela, është daja i Brilant Martinajt, i cili mbeti i vrarë në atentatin e frikshëm që u mori jetën edhe dy miqtë të tij, vitin e kaluar, në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Po ashtu emri i tij del edhe në dosjen “Metamorfoza”. Në mesazhet që shkëmbejnë personazhet e kësaj dosje, Dorian Duli, që ishte një nga personat e shenjestruar për t’u vrarë nga grupi Bajri, por edhe Lulzim Kulla, dhëndrri i familjes Lici, komentohet si lidhje e fortë e Gëzim Çeles. 

Gëzim Çela dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë kohë më parë. Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.

Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.

Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa.

Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara. Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte aty.

Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Çelës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës. Për të, ekziston një dënim nga gjykata italiane me 11 vjet burgim, si dhe 150 mijë euro gjobë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gëzim Çela, përpara se të implikohej në trafikant droge e të ishte kryetari i një bande të trafikut të kokainës, ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997.

kokaine gezim cela spak 3 trafikante

Lini një Përgjigje