TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Nëntor 2023, 18:10

Moti i keq paralizon trafikun, lista me akset rrugore që janë bllokuar

Shkruar nga Pamfleti

Moti i keq paralizon trafikun, lista me akset rrugore që janë bllokuar

Reshjet intensive të dëborës në vendin tonë, kanë bllokuar disa akse rrugore nga juglindja deri në veri. Vendi ynë pavarësisht paralajmërimeve për motin e keq, sërish u gjend i papërgatitur përballë reshjeve të dëborës që kanë “pushtuar” vendin, dhe si pasojë është bërë i vështirë qarkullimi në disa nga akset kryesore.

Akset e bllokuara në veri

Në Rrugën e Arbrit dhe në malësinë e Krujës janë bllokuar akset rrugore: Rruga e Arbrit, Cudhi Kamp-Qafshtamë, dhe Bruzë Mal-Shkretë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se po pastrohen me kripë akset: Kukës-Krumë dhe Kukës-Ura e Zapotit, në segmentin rrugor Dushaj-Sheshi i Trageteve-Lekbibaj në lartësinë mbi 700m, Qafë Thore, Vau i Dejes-Pukë-Kukës, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë-Tropojë-Shipshan-Sopot-Kërrnaje, Bajram Curri-Fierzë.

Në qarkun e Dibrës reshjet e borës kanë rënë deri në lartësinë 400 metra mbi nivelin e detit, duke përfshirë edhe qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizës. Disa akse rrugore janë bërë të pakalueshme, më konkretisht: Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë, Bulqizë-Ura e Vashës-Qafë Murrizë, Peshkopi-Kuben-Kukës.

Gjithashtu aksi rrugor Bypass-Qafë Murrizë, është bërë i pa kalueshëm.

Akset e bllokuara në juglindje

Aktualisht në aksin rrugor Përrenjas-Qafë Thanë kanë nisur reshjet e dëborës, deri në këto momente ky aks është i kalueshëm.

Reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe zonat malore në qarkun e Elbasanit. Në Steblevë të Librazhdit trashësia e dëborës ka arritur deri në 20 cm. Në këto qytet është rritur numri i patrullimit të policisë në akset rrugore urbane e rurale për shkak të motit të keq.

Kontraktorët po merren me pastrimin e rrugëve nga bora dhe hedhjen e kripës, njëkohësisht në zonat ku ka reshje të dendura të shiut po pastrohen materialet e rëna në rrugë.

Polica bën thirrje që drejtuesit e mjeteve të mos qarkullojnë pa goma dimërore dhe zinxhirë në zonat ku ka rënë dëborë. Gjithashtu ata kanë kërkuar që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme, të ulin shpejtësinë, si dhe të respektojnë sinjalistikën.

Në rast nevoje për ndihmë, i disponueshëm nga uniformat blu qëndron numri i telefononit 112.

akset e bllokuara reshje dëborë probleme me qarkullimin

Lini një Përgjigje