
Lajmet se Unaza e Madhe e Tiranës do të hapej për qarkullimin në dhjetor të 2024, ka qënë një sinjal i fortë për tregun e shit-blerjes së pasurive të patundshme për të rivlerësuar çmimet.
Ervin Demirxhiu agjent imobiliar thotë se para përfundimit të këtij projekti, nisi një rritje jo e vogël e çmimeve të pronave.
“Sot përgjatë Unazës së Madhe, Paskuqani dhe lagjia 5 Maji janë dy pole të reja që kanë një interes të shtuar për blerje. Kemi dy zona shumë të kërkuara pasi ka shumë objekte në ndërtim. Mbi të gjitha janë zona të çilat kanë projekte të mëdha dhe serioze dhe kanë ngjallur interesin e qytetarëve. Në zonat përgjatë unazës çmimet janë rritur me 200-300 euro për metër2. Konkretisht, në Shkozë nga 900 çmimi ka shkuar 1100-1200 euro m2. Në Paskuqan pak a shumë të njëjtat çmime. 800 euro m2 po shiten ndërtimet në gropë, në Bathore. Nuk po e përmend Farkën se ajo konsiderohet zonë elitare”, sqaroi Ervin Demirxhiu agjent imobiliar gjatë një interviste për emisionin E-ZONE
Sipas tij edhe për këtë fillim viti kërkesa vijon të mbetet e lartë. Sipas tij nuk ka zona të mbivlersuara nga çmimet, për aq kohë sa ka shitje në to.
“Unë mendoj se çmimet mund të pësojnë një stabilizim gjatë këtij viti. Nuk presim ulje. Por edhe rritje në përgjithësi nuk presim. Përjashtim mund të bëjnë zona të çaktuara që konsiderohen të mira dhe kanë interes të lartë për blerje. Individët problem më të madh kanë mënyrën e pagesës. Ngërçi në shumiçën prej tyre është tek mungesa e një kolaterali për të marrë një kredi”, sqaroi Demirxhiu në Vizion Plus.
Sa i përket tregut të qiradhënies, me shtimin e këtyre investimeve dhe përfundimin e ndërtimeve do të ketë një ofertë të shtuar në treg, për rrjedhojë sinjalet që vijnë nga tregu janë se çmimet e qirave nuk do të rriten.
Lini një Përgjigje